Lojtarëve të Maqedonisë u premtohet premi marramendëse nëse mposhtin Kosovën

Lojtarëve të Maqedonisë u premtohet premi marramendëse nëse mposhtin Kosovën

Lojtarëve të ekipit kombëtar të Maqedonisë së Veriut u është premtuar një shpërblim i majmë parash prej tre milionë euro nga Federata e Futbollit e vendit, nëse arrijnë ta sigurojnë kualifikimin në Euro 2020 duke e mposhtur Kosovën në rrugë drejt këtij synimi.

Federata e Futbollit e Maqedonisë (FFM), e udhëhequr nga kryetari i saj shqiptar Muhamed Sejdini, është shumë e kënaqur me rezultatin, siç e ka quajtur historik, të ekipit kombëtar dhe tani i ka motivuar lojtarët ta arrijnë synimin kryesor, kualifikimin.

“Do të doja të përcjell urime të sinqerta për futbollistët e ekipit tonë përfaqësues për paraqitjet dhe rezultatet e shënuara në ciklin e fundit eliminator për EURO 2020. Është shumë me rëndësi që futbollistët besojnë se munden, janë të vetëdijshëm për kualitetin që posedojnë, ndërsa me mbështetjen e publikut janë të gatshëm për rezultate të mëdha. Duhet të vazhdojmë të besojmë në vetveten”, tha mes tjerash Sejdini.

“Dua të theksoj se FFM në rast të plasmanit në Euro 2020, reprezentuesit do t’u ndajë premio më shumë se 3 milionë euro. Saktësisht 30% prej mjeteve që FFM do t’i fitojë nëse plasohemi, do të shkojnë për anëtarët e reprezentacionit tonë më të mirë”, tha Sejdini sipas Gazetës Lajm.

Njëlloj si Kosova, edhe Maqedonia e Veriut dështoi ta sigurojë pjesëmarrjen në turneun e verës së ardhshme përmes kualifikimeve, duke u renditur në vendin e tretë në grupin e saj.

Shpërndaje në: