Londra zgjedh kryetarin e parë musliman

Londra zgjedh kryetarin e parë musliman

Kandidati i Partisë Laburiste, Khan, 46-vjeçari me origjinë nga Pakistani mori 56,8 përqind të votave në raundin e parë kundër rivalit të tij Konservator, Zac Goldsmith. Pas marrjes së lajmit për fitoren e tij Khan është shprehur shumë i lumtur për rezultatet dhe ka pohuar se është një nder për të që të jetë londinez dhe drejtues i një qyteti të tillë. Ai falënderoi të gjithë zgjedhësit e tij dhe premtoi shtëpi, punë dhe ajër të pastër.  Ndërsa Kryetari i Partisë Laburiste të Britanisë së Madhe, Jeremy Corbyn, ka uruar Khan-in për zgjedhjen e tij si kryetar të qytetit të Londrës. “Urime. Jam shumë i padurueshëm për të punuar me ty për një Londër të barabartë për të gjithë”, është shprehur ai.

Ndërsa një ministër i Partisë Konservatore, Sajid Javid, uron kështu kryetarin sapo zgjedhur të Londrës i cili është djali i një shoferi autobusi në këtë qytet. “Khan, urime nga një tjetër djalë shoferi pakistanez.”
Khan ka lindur në vitin 1970 në Londër. Ai ka mbaruar studimet për Drejtësi në Universitetin e Londrës Perëndimore. Khan i cili në kohën kur Gordon Brown ishte Kryeministër i vendit ka marrë detyra të rëndësishme si, ministrinë e Etnive dhe më pas i Transportit.

Ndërkohë pas zgjedhjeve të majit ai mori detyrën e ministrit Përgjegjës për Londrën në qeverinë e re, detyrë të cilën e la pas shpalljes së kandidaturës për kryetar të këtij qyteti.
Khan është i martuar dhe ka një vajzë. Ndërkohë që prej 2005-ës ai përfaqëson rajonin Tooting që ndodhet në jug të Londrës në Parlamentin britanik.

Shpërndaje në: