Lufta e Re për Kosovën

Lufta e Re për Kosovën

Operacioni për zgjidhjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur prej kohësh. Por tashmë duket se dikush ka marrë bisturinë në dorë. A do jetë një operacion i dhimbshëm dhe me pasoja? Cili është roli i Tiranës në këtë situatë? Flasin analistët e njohur Kim Mehmeti dhe Nexhmedin Spahiu/

E marta thonë se është një ditë tersi. Më 20 nëntor të vitit të shkuar në Dubai, shumëkush mund të ishte duke shijuar detin e diellin. Por shumë shqiptarë dhe serbë po bënin tifo për diçka të pazakontë. Ndeshja luhej në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit. Në fakt amerikanët dhe perëndimorët në përgjithësi ishin futur në fushë me një ‘ekip’ të kompletuar. Krejt papritur doli rezultati i votimit. Kosova nuk ia kishte dalë të bëhej anëtare e kësaj organizate. Duket diçka pa shumë rëndësi, por euforia pushtoi mediat dhe rrjetet sociale. Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e quajti një fitore për një vend të vogël dhe krenar. Por nuk harroi të shtonte se nuk duhej eufori, duke iu bërë thirrje shqiptarëve që të mos e shihnin si një humbje të madhe. Por pyetja që kishin ndërmend mediat e huaja ishte e tillë: Kur nuk qenka kaq e rëndësishme si fitore, përse u dashka serbët që të sponsorizohen shumë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, një hap normal që do i shërbente vetëm sigurisë dhe rendit në rajon?

Pavarësisht thirrjeve të Vuçiç, ajo që pasoi do e risillte çështjen kosovare në qendër të medias ndërkombëtare. Kryeministri Ramush Haradinaj, që akoma vazhdon ta theksojë se nuk e kupton se përse duhet të përulen përpara një vendi që i ka vrarë shqiptarët, vendosi një tarifë 100 për qind mbi mallrat serbë. Lëvizja e tij entuziazmoi shqiptarët. Madje edhe kryeministri Edi Rama u shpreh në favor të vendosjes së kësaj tarife. Por ai duhet të ‘manovrojë’ me porta të ngushta në këto ditë të vështira. Fillimisht duhet ta tregojë veten të gatshëm për të hequr kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës, të shfaqet nëpër mbledhje të përbashkëta të qeverive, të bëjë selfie me simbole shqiponjash e me flamurin shqiptar në sfond, si për t’i treguar faktorit ndërkombëtar se Shqipëria paternaliste mund të kërcënojë edhe BE-në me këto veprime.

E nga ana tjetër, duhet të pranojë telefonata nga Uashingtoni, të cilat i thonë se zgjidhja mes Serbisë dhe Kosovës po afron dhe ajo do jetë me shumë gjasë e diktuar nga SHBA dhe ndoshta nuk do i kënaqë shumë shqiptarët. Një rishikim kufijsh mund të vendoset atje larg, por këtu në terren gjërat nuk janë kaq të lehta. Puna e tokave dhe e kufijve mund të prodhojë luftë e gjak, paralajmëron Haradinaj. Kurse Edi Rama e di shumë mirë se të dalë në favor të kësaj ideje, vetëm sa do marrë mbi shpinë shumë pakënaqësi që nuk i duhen. Por i duhet që të dalë në krah të Donald Trump, njeriut që dikur e pati sulmuar ashpër. Me këtë lëvizje vret dy ‘zogj’, duke iu treguar shqiptarëve të habitur pas investigimeve të Zërit të Amerikës, se i ka punët ‘grurë’ me Shtëpinë e Bardhë. Por me çfarë kostosh?

Europa, e cila i ka në derë këto halle, duket se mban një qëndrim më ndryshe. Asaj i intereson dëshpërimisht një zgjidhje e çështjes kosovare, por shpreson që joshja për anëtarësim në BE do të prodhojë një rezultat pozitiv. Por në kohën kur perspektiva e zgjerimit të BE duket e largët dhe kur askujt në ‘odën’ e 28 vendeve nuk i intereson të fusë në shtëpi dy fqinj me probleme, duhet ndërhyrja amerikane. Ashtu siç dinë ata, të prerë dhe direkt. Operacioni për të zgjidhur çështjen mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur. Nëse kjo punë do zgjidhet me bisturi, ende nuk mund të thuhet me saktësi. Nëse bisturia do hyjë thellë duke lënë pasoja, as kjo nuk dihet. Zaret janë hedhur…

Për fat të keq, duhet të jemi të shqetësuar për fatin tonë kolektiv sepse mund të ndodhë që pas njëzet viteve, ‘Millosheviçi’ ta fitojë luftën e humbur në vitin 1999.

Edhe atë, për shkak se fati i shqiptarisë është në duart e burrështetasve të shantazhueshëm e me afat të kaluar të përdorimit. Në duar burrështetasish që nuk e kanë interes parësor atë të popullit e të vendit që përfaqësojnë, por fatin e tyre politik.

Andaj, edhe marrëveshjet e arritura mes burrështetasve të tillë, shndërrohen në burim mosmarrëveshjesh të reja.

Duket se marrëveshja eventuale mes Serbisë e Kosovës qëllimin parësor e ka t’ia shtojë afatin e përdorimit një klase politike, me në krye Presidentin e Kosovës, e që e sundojnë popullin dhe vendin sipas mendësisë – ‘ne jemi pronarët e lirisë dhe ne jemi e mira e vendit dhe e popullit’.

Shqiptaria dhe Kosova janë në duart e burrështetasve, të cilët të qenit pushtetarë e barazojnë me të qenit pronar i popullit dhe i vendit dhe andaj, sillen siç sillet Presidenti i Kosovës, i cili aq e nënvlerëson inteligjencën kolektive, sa paturpshëm pohon diçka thuajse absurde: se Serbia nuk e njeh Kosovën vetëm pse ajo nuk pranon ta marrë Luginën e Preshevës! E, ndërkohë, me kokëfortësi e mbron idenë e vjetër serbe për shkëmbim territoresh. Madje, duket se është i sigurt se do realizohet plani i tij proserb e prorus, mbase pse e di se shqiptarët e Kosovës, aq janë lodhur nga ‘hajdutokracia’, sa ajo ngulfati thuajse çdo ndjenjë të tyre ndaj fatit kolektiv, dhe i çoi të rinjtë ta mbajnë kokën e kthyer kah qendrat perëndimore.

Ne duhet të jemi të shqetësuar për fatin e Kosovës dhe të shqiptarisë sepse ato janë në duart e burrështetasve, të cilët shqiptarëve ua vranë krenarinë kombëtare, duke ua imponuar bindjen se për çdo gjë vendosin tjerët, se asgjë nuk është në duart e tyre.

Thuhet se marrëveshja do marrë vulën e Uashingtonit dhe do përfundojë me rishikim kufijsh. Nga ana tjetër, thuhet se Berlini e kundërshton këtë opsion. Jemi në kuadër të teorive të rrjetit apo kështu qëndrojnë gjasat?

Shumëçka është e paqartë, ngaqë mungojnë informata. Por, nuk është sekrete e vërteta se zyrat ku vizatohen hartat e shteteve të popujve të vegjël të Ballkanit, janë ende të hapura dhe ndodhen jashtë hapësirave tona. Aq më shumë kur ne si shqiptarë, e rritëm besnikërinë ndaj miqve tanë perëndimorë, por thuajse e asgjësuam besimin ndaj shqiptarisë. Dhe kështu ne nuk e qartësuam se ku fillon e ku përfundon besnikëria ndaj shqiptarisë dhe ndaj vetvetes.

Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe me këta burrështetas që kishin koncepte si të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet, por jo edhe si ta çojnë përpara shqiptarinë. Pra, ne ecnim përpara me burrështetas që nuk na tregonin se në ç’drejtim na çojnë, por na ngushëllonin se ishin në pritje të lajmit se ‘çka thotë Amerika’. E, në ndërkohë, ne thuajse harruam se as Amerika, as kushdo tjetër, s’ka si të ndihmon nëse t’i nuk bën gjë për vetveten dhe sillesh si një i retarduar, që nuk mund të ecë vetë. Kam frikë se miqtë tanë i lodhëm duke kërkuar nga ata të na mbrojnë edhe nga e keqja në vetvete, me çka ata, mbase edhe gabimisht, filluan të besojnë se jemi të paaftë të bëhemi ndërtues të fatit tonë dhe të bëhemi faktor i rëndësishëm në këtë Ballkan. Andaj, miqtë perëndimorë të shqiptarisë, tani duan të shpëtojnë atë që mund të shpëtohet, madje edhe me ndjenjën e fajësisë pse, për llogari të vetat, shqiptarinë e lanë në duart e këtyre ‘maunokratëve’ që dinin ta sundojnë popullin, por jo edhe grykësinë e tyre.

Gazeta austriake Der Standard shkruan se shumica e shqiptarëve e kundërshton rishikimin e kufijve. Gazeta thekson se kjo situatë ka provokuar tensione edhe në qeverinë shqiptare, pasi kryeministri Edi Rama largoi një zë kundër ndarjes së Kosovës, si Ditmir Bushati. Si e shihni qasjen e Shqipërisë ndaj kësaj situate?

Duhet të jesh mbi mesataren idiot që të besosh se rishikimi i kufijve do u sjellë diçka të mirë shqiptarëve. Posaçërisht në rrethana kur mëmëdhe Shqipëria drejtohet nga burrështetas që vendin e kanë shndërruar në atdhe të krimit dhe nëntokës politike.

Madje, ngutja e disa qarqeve perëndimore dhe serbe, që sa më shpejt të arrihet marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës, ka të bëjë edhe me nuhatjen e tyre se shqiptarët janë defaktorizuar dhe asnjëherë nuk kanë qenë më të dobët politikisht.

Sa u përket tensioneve në qeverinë shqiptare, ato nuk kanë të bëjnë as me interesin e Kosovës, as me atë të Shqipërisë, por me perversitetin e një Kryeministri që deputetëve u thotë: ‘gruas sime ia ngrënçi atë që nuk thuhet’!? Apo që i përqesh njerëzit me të meta fizike? Dhe, vallë, mund të besojë ndonjëri se një Kryeministër të tillë do e marrin seriozisht burrështetasit perëndimorë?! Apo se mund t’i mbrojë interesat mbarëkombëtarë një kryeministër që nuk ai del të komunikojë njerëzishëm as me deputetët e Kuvendit të shtetit që drejton? Dhe, a mund të besosh se interesat e shqiptarisë mund t’i mbrojë një Kuvend si ai i Shqipërisë, e ku deputetët merren me punët e shtratit të njëri – tjetrit dhe ku përdorin fjalor nga i cili do turpëroheshin edhe pronarët e ndonjë shtëpie publike!?

Nëse SHBA do imponojë një marrëveshje që nuk pëlqehet nga shqiptarët, a do kemi një frymë antiamerikane mes popullit më proamerikan në botë?

Duke u bërë më properëndimorë se perëndimorët, ne harruam të jemi proshqiptarë dhe vetvetja. Filluam të sillem si i paafti që fatin e vet e lë në duart e më të fortit dhe më të pasurit, me çka edhe s’ka si mos bëhet i pandjeshëm ndaj fatit të vet. Mbase gjithmonë kemi qenë të tillë, të skajshëm: kur bëhemi komunistë edhe Stalinin e mbrojmë nga rusët, e kur bëhemi proamerikanë, Trumpin e mbrojmë nga amerikanët. Çka tregon se mbase, as duam, as urrejmë racionalist dhe sinqerisht, se me tjerët nuk na ka lidhur as koncepti, as ndonjë ideal, o parim konkret, por vetëm interesi ditor. Kam frikë se edhe për dështimet tona, ne do e fajësojmë Amerikën dhe se, me këta politikanë që kemi, ne do përfundojmë aty ku ishim në kohën e Enverit – si popull që e jeton vetminë e vet. Dhe ashtu, përfundojnë popujt që e humbin besimin në vetvete dhe që për ta arsyetuar paaftësinë vetjake, i fajësojnë gjithë të tjerët.

Thuhet se marrëveshja po bëhet që Rusia të mos ketë më ndikim mbi Serbinë dhe rajonin. Të tjerë thonë të kundërtën: se Rusia po e sponsorizon opsionin e ndarjes? Ju çfarë mendimi ndani?

Do e përsëris sa herë që të më jepet rasti: të tjerët mund të ta bëjnë vetëm atë që ua lejon. Dhe Rusisë iu rritën mundësitë të depërtojë në Ballkan që nga çasti kur Europa dystandardëshe u tregua se është një prej muratorëve të ferrit të kësaj bote, ku vlen vetëm ligji i të fortit dhe të pasurit. Duke qenë e tillë, ajo bëri shumë parallogari të gabuara edhe në Ballkan. Sepse i çoi shumë ballkanas të pyesnin se cilat janë ato vlera europiane që atë do e bënin të jetë atë që thotë se është, kur një pjesë dërmuese a saj, është bërë e pandjeshme ndaj nacionalizmave brenda vetvetes, ndaj përgjakjes së Bosnjës dhe Kosovës si dhe ndaj ‘srebrenicave’ të Ballkanit, ndaj anti-islamizmit në rritje, ndaj vrasjeve të fëmijëve palestinezë e jemenas, ndaj shkatërrimit të gjurmëve të kulturave të lashta lindore…. Vallë mundet një Europë e tillë t’i kundërvihet ndikimit të kujtdo qoftë në Ballkan!?

Këtë nuk e dimë. Kur ta shohim tekstin e marrëveshjes mund të konstatojmë se mund të marrim frymë lirisht ngase më e keqja kaloi apo të shqetësohemi se më e keqja po vjen. Kjo varet nga pazari që tashmë duket se veç është prerë. Ka shumë faktorë që e përcaktojnë këtë. Raportet Amerikë-Europë-Rusi, por edhe nga ajo se çfarë ka dëshmuar funksionimi i Kosovës në këto 20 vite. E panjohura më e madhe është raporti mes Fuqive të Mëdha, dhe këtu ka ca shpresa që pazari të jetë më i mirë. Sa i përket asaj se çfarë ka merituar Kosova përgjatë këtyre 20 viteve të funksionimit të saj, këtu shpresat janë më të pakta. Edhe 20 vite pas çlirimit e 11 vite të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në qendër të Prishtinës valon flamuri i Shqipërisë e jo flamuri i Kosovës. Ky fakt flet shumë në kuptimin figurativ. Ky fakt flet që Kosova nuk ka besim në vetvete, që pret që problemet e saj t’i zgjidhë Tirana. Kjo gjë i bën të huajt të qeshin e të mëshirohen duke ditur që Tirana nuk është e zonja t’i zgjedhë as problemet e Shqipërisë e lëre më të Kosovës. Kjo tregon se shumica dominuese në Kosovë, posedon ndjenjën e të qenit një minoritet etnik në një shtet të huaj për ta dhe jo një komb që drejton një shtet të vet, ndërkohë që kërkohet që ky komb (kosovar) të pranohet në Kombet e Bashkuara. Në këtë aspekt politikanët dhe intelektualët nga Shqipëria nuk kanë ndihmuar aspak. Mesazhi që është dashur t’u japin ata shqiptarëve të Kosovës është ky: “E dimë se jemi vëllezër, por ju tani keni shtetin tuaj, keni flamurin tuaj, keni himnin tuaj, lërini simbolet tona rehat dhe merruni me simbolet tuaja”. Kjo ndoshta do t’u tingëllonte idhët në Kosovë, por do t’ishte tej mase edukuese dhe ndihma më e madhe që Shqipëria mund t’i jepte Kosovës.

Thuhet se marrëveshja do marrë vulën e Uashingtonit dhe do përfundojë me rishikim kufijsh. Nga ana tjetër, thuhet se Berlini e kundërshton këtë opsion. Jemi në kuadër të teorive të rrjetit apo kështu qëndrojnë gjasat?

Këtë nuk e dimë, ndoshta kjo është vetëm lojë për të frikësuar palët, që kur të nënshkruhet marrëveshja me kompromise të dhimbshme (Asociacioni i komunave me shumicë serbe për Prishtinën, dhe njohja e pavarësisë së Kosovës për Beogradin) të thuhet shyqyr të paktën nuk lëvizën kufijtë.

Ndoshta edhe do të ketë lëvizje minore të kufijve dhe asociacion të komunave me shumicë serbe e njohje nga ana tjetër. Në këtë rast lëvizja e kufirit do të dëmtonte Luginën e Preshevës duke i dhënë ca vendbanime Kosovës dhe pjesa më e madhe e tyre t’u bashkëngjitet komunave të tjera serbe. Kështu shqiptarët ngelin pa asnjë komunë në Serbi, gjë që de facto do të eliminonte shqiptarët nga Serbia (interes i Beogradit). Por mund të jetë që pazari të jetë prerë akoma më keq për Kosovën. E kjo do t’ishte që në këmbim të njohjes nga Serbia, të jepet veriu deri te lumenjtë Ibër e Bistrica dhe asociacioni për serbët në jug të lumit Ibër. Kjo do të thoshte që Liqeni i Gazivodës, Trepça e qyteti i Mitrovicës të ndahen përgjysmë mes Kosovës e Serbisë.

Gazeta austriake Der Standard shkruan se shumica e shqiptarëve e kundërshton rishikimin e kufijve. Gazeta thekson se kjo situatë ka provokuar tensione edhe në qeverinë shqiptare, pasi kryeministri Edi Rama largoi një zë kundër ndarjes së Kosovës, si Ditmir Bushati. Si e shihni qasjen e Shqipërisë ndaj kësaj situate?

Ndoshta Kosova do të detyrohet të bëjë lëshime në dëm të saj se nuk mund të luftojë me fuqitë botërore, por çfarëdo qasje e Shqipërisë që nuk përkrah integritetin dhe territorin e tanishëm të Kosovës është ndihmë Serbisë e jo Kosovës. Ca të njohur të mi serb nga Beogradi shpesh po tallen me mua duke thënë: Derisa Serbisë po ia fut vëllai i vet, Mali i Zi, edhe Kosovës po ia fut vëllai i vet nga Tirana.

Kosova nuk pret që Tirana të ngrejë avionët ushtarakë dhe të dalë në mbrojtje të territoreve të Kosovës (sepse këtë Tirana zyrtare nuk e ka bërë as kur 19 kombe të botës bombarduan Beogradin me 1999), por më e pakta që Tirana mund të bëjë është të mos ia zbresë pazarin Kosovës dhe të mos duartrokasë kur Kosova të dëmtohet e detyruar ta nënshkruajë një marrëveshje të dakorduar nga Fuqitë e Mëdha.

Nëse SHBA do imponojë një marrëveshje që nuk pëlqehet nga shqiptarët, a do kemi një frymë antiamerikane mes popullit më proamerikan në botë?

Një fryme antiamerikane në mesin e shqiptarëve ekziston përderisa ka ndjekës të heshtur të ish-diktatorit komunist Enver Hoxha. Një pazar i keq për Kosovën në marrëveshjen e pritshme do t’ua hapte gojën antiamerikanëve tani të heshtur.

Për një pazar të keq eventual, së pari, duhet të akuzohet populli i Kosovës dhe klasa e tij politike e intelektuale. Së dyti, Shqipëria që nuk e ndihmoi më tepër në aspektin edukues për të cilin fola më lart, dhe tek së treti amerikanët.

Thuhet se marrëveshja po bëhet që Rusia të mos ketë më ndikim mbi Serbinë dhe rajonin. Të tjerë thonë të kundërtën: se Rusia po e sponsorizon opsionin e ndarjes? Ju çfarë mendimi ndani?

Nuk mund të ketë një marrëveshje mes Perëndimit e Serbisë e që Rusia të jetë tërësisht anash. Zaten këtë e dëshmoi edhe vizita e Presidentit Putin në Beograd. Ajo çfarë ai tha mes rreshtash është se Rusia është në këtë ngjarje.

Zoti Spahiu, edhe ju mendoj se keni një skenar se si mund të bëhen gjërat më mirë në rajonin tonë? Nëse po, cili është?

Po. Gjërat bëhen më mirë kur ka marrëveshje, paqe e stabilitet e rajon. Por për kënd bëhet më mirë e për kënd më pak mirë, varet nga pazari i marrëveshjes. Për këtë Kosova kishte 20 vite kohë dhe shanse ideale për të patur një pazar të mirë, por dominoi jopatriotizmi, grykësia dhe injoranca e thellë.

Ky shkrim fillimisht është publikuar në Gazeta Mapo.

Shpërndaje në: