Lufta në Ukrainë: Parashikimi i errët i BQK-s për ekonominë e Kosovës

Lufta në Ukrainë: Parashikimi i errët i BQK-s për ekonominë e Kosovës

Banka Qendrore e Kosovës -BQK ka bërë një parashikim për ndikimin e luftës në Ukrainë në aktivitetin ekonomik të Kosovës. Banka e ka bërë parashikimin sipas skenarit bazë dhe dy skenarëve alternative, shkruan Periskopi.

BQK-ja ka parashikuar se do të ketë rritje të çmimeve në këtë vit, dhe se inflacioni do të përmbyllet në një kuotë prej 11 për qind, derisa ai vitin e ardhshëm do të jetë më i ulët.

BQK-ja e nisë analizën e vetë duke thënë se lufta në Ukrainë ka ndikuar nё rritjen e rreziqeve për perspektivën ekonomike si për eurozonën, ashtu edhe për rajonin dhe Kosovën. Sipas saj, Kosova ka ekspozim shumë të ulët ndaj vendeve të përfshira në konflikt, ndaj edhe ndikimi direkt i luftës në ekonomi mbetet i kufizuar.

Marrë parasysh pasiguritë e larta që ka shkaktuar lufta në Ukrainë, si në aspekt të sjelljes së tregjeve ndërkombëtare ashtu edhe të politikave të pritura monetare për të evituar stagflacionin, BQK ka rishikuar parashikimet ekonomike përkitazi dhe ka dizajnuar dy skenar shtesë më të rënduar që do të analizohen në vazhdim.

Këta skenar, BQK-ja i ka renditur në dokumentin “Raporti i Stabilitetit Financiar”.

Skenari bazë i BQK-së është ndërtuar mbi supozimet se ndikimet negative të kësaj lufte janë të përkohshme dhe se zinxhirët e furnizimit global nuk preken ndjeshëm. Në projeksionet e realizuara në fillim të vitit 2022 është parashikuar ngadalësim i rritjes së aktivitetit ekonomik dhe normalizim në rritjen mesatare pesëvjeçare prej 3.3 përqind për vitin 2022 (10.5 përqind në 2021). Megjithatë, rritja e rreziqeve të përgjithshme makroekonomike me fillimin e luftës dhe pasojat që ajo ka prodhuar veçanërisht përmes presioneve të rritura inflacioniste, kanë rezultuar në rishikim të projeksionit bazë në 3.0 përqind. Sa i përket inflacionit, fillimisht BQK ka parashikuar një shkallë inflacioni prej 5.1 përqind për vitin 2022. Ndryshimi i dinamikave dhe rritja e vazhdueshme e të gjitha indekseve të çmimeve në vend ka detyruar BQK-në që të rishikoj skenarin bazë në 11.0 përqind për vitin 2022 dhe 6.2 përqind për vitin 2023.

Rritja e çmimeve të mallrave bazë në tregjet ndërkombëtare në magnitudë që në vijimësi ka tejkaluar pritjet e BQE-së dhe bankave të vendeve të Ballkanit Perëndimor ka rritur ndjeshëm perceptimin mbi rrezikun e përgjithshëm makroekonomik në vend. Për pasojë, BQK ka dizajnuar dy skenarë alternativ të perspektivës ekonomike për vitet 2022 dhe 2023 (skenari i moderuar dhe skenari i rënduar). Në këta skenarë është supozuar se lufta do të zgjasë më shumë se në skenarin bazë, duke u shtrirë edhe në vitin 2023.

Skenari i moderuar i BQK

Sipas BQK-së, ndikimi i luftës në Ukrainë i kombinuar me sanksionet shtesë ndaj Rusisë dhe embargoja e gazit dhe naftës ruse nga vendet e BE-së pritet të krijoj kufizime të theksuara të furnizimit. Një mungesë e tillë e furnizimit pritet të ndikoj në rritjen shumë më të lartë të çmimeve të mallrave bazë në muajt në vijim (ushqimit, naftës dhe gazit), me pasoja negative edhe në prodhimin industrial. Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në eurozonë, përveç ndikimit të drejtpërdrejtë në kërkesën e jashtme, do të reflektohet edhe në  kërkesën e brendshme meqenëse pritet të ndikojë një ndër burimet kryesore të financimit të aktivitetit ekonomik – të ardhurat nga diaspora.

“Sa i përket projektimit të çmimeve, simulimet janë realizuar duke marrë për bazë supozime të mbështetura në komunikimin e bankave qendrore, institucioneve financiare ndërkombëtare dheraportimeve të agjencioneve tjera relevante si Agjencia e Ushqimit dhe Bujqësisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (FAO). Në Kosovë, janë marrë për bazë edhe intervista të akterëve relevant për çmimin e bukës, vajit të lulediellit dhe të naftës, si produktet më të ndikuara nga pasojat e luftës në Ukrainë. Sipas skenarit të moderuar, çmimi i bukës do të ishte për 9.3 pikë përqindje më i lartë krahasuar me skenarin bazë në vitin 2022”, thotë BQK-ja, raporton Periskopi.

Ukraina dhe Rusia janë prodhuesit kryesor të vajit të lulediellit në botë. Kufizimet në ofertë nga vendet tjera prodhuese apo ndërmjetësuese në këto produkte për të mirëmbajtur kërkesën e përgjithshme në vendet e tyre ka ndikuar në rritje të mëtejme të këtyre produkteve bazë. Sipas skenarit të moderuar, të BQK-së, çmimi i vajit ushqimor do të ishte për 58.2 pikë përqindje më i lartë krahasuar me skenarin bazë. Sa i pёrket derivateve tё naftёs, çmimi do të ishte për 23.2 pikë përqindje më i lartë krahasuar me skenarin bazë.

Sipas BQK-së, planet e administratës amerikane janë që të inkurajoj rritjen e prodhimit vendas dhe derisa kjo rritje të ndodhë, ka vendosur që të furnizoj tregun me rreth 1 milionë barel naftë në baza ditore nga rezervat strategjike.

Skenari i rënduar

Përveç supozimeve të përfshira në skenarin e moderuar, në skenarin e rënduar është simuluar një rritje më e madhe dhe e vazhdueshme e çmimeve si pasojë e luftës dhe intensifikimit të rreziqeve. Skenari i reduktimit të vazhdueshëm të stoqeve dhe rezervave në vitet e përfshira në skenarë si pasojë e rrezikut të mosarritjes së zëvendësimit të produkteve bazë nga Rusia dhe Ukraina në muajt në vazhdim (gazit, naftës dhe inputeve kryesore në bujqësi) po duket i mundshëm gjithnjë e më shumë. Si rezultat sipas BQK-së, tregu do të balancohet në nivele më të larta të çmimeve dhe në një mjedis të përgjithshëm inflacionist materializohen edhe efekte më të mëdha të raundit të dytë të inflacionit. Nё kuadёr të këtij skenari ёshtё supozuar se çmimi i bukës do tё ishte për 27.9pikë përqindje më i lartë krahasuar me skenarin bazë ndërsa çmimi i vajit ushqimor dhe naftës do të ishte për 66.9 përkatësisht 43.5 pikë përqindje më i lartë se sa në skenarin bazë.

Nëse kёto supozime do tё materializoheshin, inflacioni do të arrinte nivele shumë të larta në vitin 2022 në dy skenarët, por do të ulej në mënyrë progresive në vitin 2023 në nivelin prej 3.2 përqind në skenarin e moderuar dhe në nivelin prej 4.3 përqind në skenarin e rënduar. Niveli i inflacionit është dukshëm më i lartë krahasuar me skenarinbazë pasi qё shporta e konsumatorit kosovar ka një pjesëmarrje të lartë të kategorive të cilat janë duke shënuar rritje më të lartë të çmimeve. Më shumë se gjysma e shportës së konsumatorit kosovar përbëhet nga dy kategoritë më shumë të ndikuara nga kriza – ushqimi (41%) dhe transporti (18%), andaj pesha që kanë këto kategori në shportën e përgjithshme të konsumit ka ndikuar që shkalla e inflacionit në Kosovë të jetë më e lartë krahasuar me vendet të cilat kanë një pjesëmarrje më të ulët të këtyre produkteve. “Në këtë mënyrë, efektet inflacioniste për shkak të rritjes së çmimeve arrijnë të jenë më të larta për 8.5 pikë përqindje në vitin 2022 në skenarin e moderuar dhe 13.3 pikë përqindje në skenarin e rënduar krahasuar me skenarin bazë. Në vitin 2023, presionet inflacioniste janë më të ulëta se në skenarin bazë kryesisht për shkak të bazës më të lartë në vitin 2022. Tutje, rritja e çmimeve pritet të ndikoj në dobësimin e kërkesës së përgjithshme në vend dhe për pasojë në dobësimin e aktivitetit ekonomik”, thotë BQK-ja.

Pra, siç shihet, ndikimi i përgjithshëm në rritjen reale të BPV-së është dukshëm negativ në të dy skenarët, me një efekt më të madh në skenarin e rënduar. Nën skenarin e moderuar, ku kërkesa e jashtme është më e dobët ndërkohë që rreziqet që shoqërojnë prodhimin dhe çmimet e mallrave bazë janë të larta, rënia e BPV-së reale do të ishte rreth 6.3 përqind në 2022 apo 9.3 pikë përqindje më e ulët krahasuar me skenarin bazë. Në vitin 2023, rritja e BPV-së sipas këtij skenari do të ishte rreth 6.5 përqind apo 2.5 pikë përqindje më e lartë se në skenarin bazë. Në skenarin e rënduar, shtesë supozimeve në skenarin e moderuar, çmimet më të larta çojnë në një rënie dukshëm më të lartë të BPV-së reale në vitin 2022 (-11.0 përqind) ndërsa në vitin 2023, BPV do të rikthehej në një rritje prej 5.5 përqind.

Megjithatë, këta skenarë nuk marrin parasysh faktorë të tjerë me rëndësi që mund të kenë ndikimtë rëndësishëm në aktivitetin ekonomik dhe në nivelin e inflacionit. Në veçanti, këta skenarë nga BQK janë përgatitur sipas të njëjtave supozime fiskale. Përveç mallrave të përfshira në skenarë, çmimet e mallrave të tjera dhe disa çmime të metaleve gjithashtu mund të ndikohen nga konflikti duke pasur parasysh rolin e Rusisë dhe Ukrainës në furnizimet globale të këtyre mallrave. /Periskopi/

Shpërndaje në: