Lukaku thyen sërish rekorde me Interin

Lukaku thyen sërish rekorde me Interin

Romelu Lukaku e vazhdoi në mënyrë mbresëlënëse sezonin e tij debutues te Interi duke i thyer edhe dy rekorde të tjera të hënën, gjatë çerekfinales së Ligës së Evropës kundër Bayer Leverkusenit.

Sulmuesi belg e shënoi golin e dytë të Interit në fitoren me rezultat 2:1 kundër Bayer Leverkusenit, për ta arritur kështu shifrën prej 31 golave të shënuara këtë sezon, transmeton Gazeta Express.

Me këtë gol, Lukaku u bë lojtari i parë që arrin të shënojë në nëntë ndeshje radhazi të Ligës së Evropës, duke e thyer rekordin që e kishte vendosur në vitin 2005 Alan Shearer me Newcastle Unitedin. Ai është gjithashtu lojtari i parë që shënon në gjashtë ndeshje radhazi në garat evropiane për Interin.

Në 45 minutat e parë të lojës, Lukaku pati rol vendimtar edhe në golin e parë të Interit, pasi që goditja e tij u prit nga portieri dhe topi i shkoi Nico Barellas, që arriti të shënojë gol të bukur për ta zhbllokuar rezultatin.

Lukaku është duke e shijuar sezonin e tij më të mirë personal në karrierë si golashënues, pasi që e kaloi shifrën prej 27 golave që i kishte shënuar për Manchester Unitedin gjatë sezonit 2017/18 me dy golat që i shënoi në ndeshjen e Serisë A kundër Genoas, në korrik.

Duke e arritur shifrën prej 30 golave të shënuara, Lukaku gjithashtu u bë sulmuesi i parë i Interit që arrin të shënojë kaq shumë gola që nga sezoni 2010/11, kur Samuel Eto’o i kishte shënuar 37 gola dhe Interi e kishte fituar tripletën.

Shpërndaje në: