Lushtaku për aktakuzën u njoftua nga mediat, thotë se dikush po luan politika të pista

Lushtaku për aktakuzën u njoftua nga mediat, thotë se dikush po luan politika të pista

Prokuroria Speciale e Kosovës sot ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Të akuzuarit në fjalë janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demalijaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha , Faik Fazliu, Xhavit Jashari dhe S.E dhe F.SH.

Periskopi ka kontaktuar me Nuredin Lushtakun, emri i të cilit figuron në aktakuzën për mashtrime me listat e veteranëve. Ai ka thënë se ende nuk ka pranuar  ndonjë konfirmim zyrtar nga Prokuroria për ndonjë aktakuzë ndaj tij.

‘’Asnjë njoftim zyrtar nuk e kam për ngritje të aktakuzës ndaj meje. Të vërtetën e kësaj aktakuze unë nuk e di as vetë. Unë e kam thënë edhe herën e parë atëherë dhe kam qenë në Prokurori sikurse shumë të tjerët që kanë qenë. Më ka pyet rreth procesit Prokurori, qysh ka shku procesi. Edhe une nuk e di që kam pasë asnjë aktakuzë të ngritne ose akuzohem për diçka’’, ka qenë përgjigja e tij për Periskopin.

Lushtaku, si verifikues i brigadës 114,  sikurse para një muaji, thotë se këto informacione po i merr përmes mediave dhe se dikush po luan politika të pista me këtë çështje.

‘’Nuk e di cfarë aktakuze i bëhet dikujt kur nuk njoftohet për asnjë gjë dhe në media e marrin mediat përpara. Pak a shumë po dihet cka janë këto aktakuza, por ata që i kanë bërë le t’i bëjnë deri në fund, tani te kqyrim. Se këto politika të pista është ka i bën dikush për teke të veta edhe le t’i grahin.’’, thotë Lushtaku.

Lidhur me fryerjen e listave të veteranëve të luftës së fundit në Kosovë, Lushtaku ka thënë se Prokuroria duhet të merret me këtë punë dhe se krejt çka ka ditur i ka thënë para Prokurorisë më herët.

‘’Shko vete Prokurorinë, ata e dinë e kanë bo këtë problem qysh e kanë bërë. Listat  i kanë, edhe të mëhershmet edhe le t’i kqyrin edhe le t’i vlerësojnë çka. Edhe Prokurorinë, edhe institucionet. Unë çka kam pasë me thanë, i kam thanë kur më ka vetë ai zotëria atje dhe i kanë shënimet’’, shton Lushtaku.

Prokuroria në aktakuzë ka propozuar që gjykata të lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro./Periskopi/

 

Shpërndaje në: