Lutfi Haziri pasi e krahasoi me Albin Kurtin: Mr.Bini është i pakorruptuar

Lutfi Haziri pasi e krahasoi me Albin Kurtin: Mr.Bini është i pakorruptuar

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ishte politikani më i mbuluar medialisht gjatë periudhës së fushatës për zgjedhjet e 6 tetorit. Ai bëri bujë të madhe kur u tall me Albin Kurtin e Veëvendosjes e të cilin e quajti “Mister Bin” [Mr.Bean] sipas një personazhi komik britanik që luhet nga Rowan Atkinson.

“Edhe ky lideri tjetër që u ba si ‘Mr.Bean’ ka hy në kravatë e u qethë nuk mundet dhe nuk ka të drejtë, nuk mundet për tri arsye që Vjosa duhet me u ba kryetare e kuvendit, na i kena thanë jo, Vjosa ka me u ba kryeministre. Është e pandershme me ju thanë njerëzve që këta fitojnë e shkojnë ata, po mundohen lojën e djallit me ba me qytetarët”, kishte thënë Haziri në një nga tubimet e LDK-së.

Këto deklarata të Hazirit kishin ardhur pasi vetë Kurti dhe eksponentë të Vetëvendosjes e kishin sulmuar figurën e zonjës Osmani duke e parë si të parëndësishme brenda strukturave të LDK-së.

Haziri të hënën mbrëma në emisionin Interaktiv u pyet nëse e ka pasur synim që ta ofendonte z.Kurti duke i vënë një emër të tillë.

“Kurti paraqet një politikë të majtë në Kosovë. Nëse themi që është e kuqe, nuk është asnjë ofendim sepse lëvizjet e majta identifikohen si të tilla. Nuk ka të bëjë me komunizëm… por e majtë. Nuk është asnjë ofendim që nëse bëjmë krahasime për dikë që nuk ka njollë të zezë në karrierën e tij. Unë besoj që Kurti do të jetë kryeministër i të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm i partive”, ka deklaruar ai.

“Nuk është tallje. Mr. Bean është i njohur për komeditë e tij për mënyrën se si sillet me seriozitet për komedinë që e bën. Nuk ka njolla të zeza në profesionin e tij”, ka shtuar më pas sërish Haziri.

Por, a është ofenduese të krahasosh dikë me Mr.Beanin?

Mr.Bean njihet si një ndër personazhet më të dashura e më të spikatura të komedisë britanike në dekadat e fundit. Humori i tij është lavdëruar si një ndër më inteligjentët në botë, për shkak se bazohet më shumë te qëndrimi e qasja dhe mimikat e fytyrës se sa te fjalët që përdoren. Në anën tjetër, z.Kurti është krejtësisht e kundërta e tij, njihet më shumë për fjalët se sa për qëndrimet apo qasjen trupore të tij. /Periskopi

 

 

Shpërndaje në: