Mahmuti për arkivën e UÇK-së: Bislimi është dashur të shmang grackën serbe

Periskopi.com Lajme

Çështja e arkivave me Serbinë, e diskutuar së fundmi nga delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë në Bruksel, ne kuadër të dialogut teknik, e në të cilën është përmend edhe arkiva e UÇK-së, ka nxitur debate të shumta në vend

Një reagim ka ardhur edhe nga Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i UÇK-së, i cili përmes një shkrimi ka thënë se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është dashur të shmang grackën serbe që krijon iluzionin e gatishmërisë së tyre për të ndriçuar të vërtetën për krimet në Kosovë.

“Edhe për naivët më të mëdhenj është e qartë se Serbia ka zhdukur të gjitha dokumentet që do të dëshmonin krimin e gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosovës. Fatkeqësisht, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka rënë në këtë grackë të dëmshme për Kosovën”, shkruan ndër të tjerash Mahmuti.

Ky është shkrimi i plotë i tij:

Dialogu me Serbinë dhe çështja e arkivave

Kriminelët e regjimit të Beogradit që kryen gjenocid në Kosovë e dinin fare mirë se nëse nuk arrihet të dëshmohet qëllimi për të shkatërruar tërësisht apo pjesërisht shqiptarët e Kosovës, asnjë arsyetim ideologjik apo politik nuk është i mjaftueshëm për ta kualifikuar krimin si gjenocid. Për këtë arsye, strategjia për të mohuar qëllimin gjenocidar dhe fshehja e gjurmëve të këtij krimi u shndërruan në sistem të shkatërrimit të së vërtetës.

Shtyllat kryesore rreth të cilit artikulohej kjo strategji kishte të bënte me mohimin e vrasjeve të civilëve shqiptarë, mohimin e ekzistimit të planit “Patkoi”, që synonte spastrimin etnik të Kosovës, mohimi i qëllimit për të shkatërruar shqiptarët e Kosovës për shkak të përkatësisë së tyre etnike, e kështu me radhë.

Lidhur me këtë çështje, në veprën e saj të titulluar “Paqja dhe ndëshkimi”, Florence Hartmann, zëdhënëse e prokurores së Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte-s, thekson:

“Udhëheqësit e rinj të Beogradit deklaronin haptazi se ‘inte­resi jetësor nacional’ i tyre ishte t’i fshihnin Gjykatës Ndër­kom­bëtare të Drejtësisë të gjitha informatat që mund ta inkriminonin Serbinë për krimet e gjenocidit. Ajo që është edhe më neveritëse në strategjinë e regjimit të Vojislav Koshtunicës për të fshehur faktet e gjenocidit serb në Kroaci, në Bosnje dhe në Kosovë lidhet me qëndrimet e pushtetit në Beograd se gjoja “drejtësia dhe e vërteta e dëmtojnë stabilitetin në regjion dhe veprojnë kundër paqes.” (Florence Hartmann, vepra në versionin origjinal Paix et chàtiment, f.118).

Sipas kësaj njohëse të mirë të zhvillimeve “prapa perdes”, një qëndrim i tillë i udhëheqësve të shtetit serb vjen për arsye se “zyrtarët serbë ishin të bindur se arkivat e Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë mund të shpinin deri te dënimi i Serbisë për gjenocid.” (Po aty, f.118).

Për të ilustruar këtë pohim, Florence Hartmanne sjell qën­drimin e ministrit të atëhershëm serb të Punëve të Jashtme, Goran Svilanoviqit, i cili në zyrën e Carla Del Ponte-s, më 3 tetor 2003, përpiqej të arsyetonte shkaqet e refuzimit të dorëzimit të arkivit të Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë. Në këtë takim, Goran Svilanoviqi theksoi se “nëse ne ju ndihmojmë ta dënoni Milošević-in për gjenocid, atëherë edhe shteti ynë do të dënohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për gjenocid dhe do të duhet t’i paguajmë miliarda dollarë dëmshpërblim…”. (Po aty, f.118).

Në shkrimin e titulluar “Dialogu dhe Këmbët e arushës”, të publikuar në muajin qershor 2021, tërhoqa vëmendjen në strategjinë serbe që për dështimin e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përgjegjësia t’i binte delegacionit të Kosovës.

Çdo temë që shtrohet nga pala serbe është në përputhje të plotë me këtë strategji. Prandaj, kur 22 vjet pas përfundimit të luftës shtrohet si temë çështja e arkivave gjatë bisedimeve në Bruksel më 7 dhe 8 shtator 2021, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është dashur të sjell si dëshmi provat e lartpërmendura dhe të shmang grackën serbe që krijon iluzionin e gatishmërisë së tyre për të ndriçuar të vërtetën për krimet në Kosovë. Edhe për naivët më të mëdhenj është e qartë se Serbia ka zhdukur të gjitha dokumentet që do të dëshmonin krimin e gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosovës. Fatkeqësisht, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka rënë në këtë grackë të dëmshme për Kosovën.

Shpërndaje në: