Majlinda Kelmendi e nis mbarë Grand Slamin e Dyseldorfit, gjunjëzon gjermanen Verna Thumm

Majlinda Kelmendi e nis mbarë Grand Slamin e Dyseldorfit, gjunjëzon  gjermanen Verna Thumm

Kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi, e ka fituar ndeshjen e parë, në kuadër të rrethit të dytë, në Grand Slamin e Dusseldorfit, në Gjermani.

Majlinda e mposhti në këtë rreth xhudisten gjermane, Verna Thumm, me ippon, në kategorinë e peshave -52 kilogramëshe. Me këtë fitore, kosovarja i afrohet medaljes së dytë të artë për këtë vit.

Pas shortit të hedhur dje, xhudistja pejane e kaloi rrethin e parë pa luftë, ndërsa në atë të dytë i ra shorti me gjermanen Thumm, e cila po ashtu kaloi tutje pa luftë.

Në rrethin e tretë, xhudistja pejane do të përballet me fituesen e përballjes mes brazilianes Eleudis Valentim dhe spanjolles Estrella Lopez Sheriff.

Kjo është gara e dytë e xhudos që Kelmendi është duke e zhvilluar këtë vit, pasi që pushoi në Grand Slamin e Parisit. Në garën e parë, në Grand Prixin e Tel Avivit, ajo e kishte fituar medaljen e artë.

Majlinda është garuesja e vetme po e përfaqëson Kosovën, pasi xhudistët tjerë, Akil e Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Loriana Kuka, pushuan.

Këtë formë të mirë, xhudistja pejane do të tentojë ta shfaqë edhe në ndeshjet e radhës, në Grand Slamin e Gjermanisë, ku marrin pjesë 683 garues nga 97 shtete. Grand Slami është i vlefshëm për pikë Olimpike Tokio 2020.
​Majlinda Kelmendi, një hap më afër medaljes së artë në Grand Slamin e Gjermanisë

Shpërndaje në: