Majlinda Kelmendi, mbretëresha e xhudos që pushtoi botën dhe solli 31 medalje të arta në Kosovë

Majlinda Kelmendi, mbretëresha e xhudos që pushtoi botën dhe solli 31 medalje të arta në Kosovë

“Duke filluar në një qytet të vogël, tani jam bërë më e mira në botë. Pra, nëse doni diçka, ju duhet të punoni me të vërtetë për të dhe të besoni në veten tuaj. Kjo është e gjitha që bëra, dhe më solli aty ku unë jam sot” kështu u shpreh javë më parë xhudistja më e mirë në botë, Majlinda Kelmendi, të cilës shumë shpejt do t’i ndërtohet një statujë prej bronzi në Kosovë.

Majlinda Kelmendi, pa asnjë fije dyshimi është sportistja më e mirë e të gjitha kohëve në Kosovë, raporton Periskopi.

Driton Kuka e ka konfirmuar se një statujë prej bronzi do t’i ndërtohet xhudistes numër një në botë në vendlindjen e saj, në Kosovë dhe krejt kjo do të financohet nga Federata Botërore e Xhudos.

Ky është postimi i plotë i trajnerit z.Driton Kuka:

“Federata Botërore e Xhudos gjegjësisht Presidenti Vizer ka vendosur që për Majlindën të angazhoj artistët më të njohur në Botë për të punuar statujen e bronztë për Kampionen tonë Olimpike!

Çdo gjë do kryhet sa i përket anës financiare nga Federata Botërore,unë po kërkoj mendime të hapura ku të vendoset Statuja ndonjë vend meritor në Vendin tonë.

Shpresoj që për Majlinden të ndahet një vend meritor dhe i duhur për kryevepren që do vij nga New York së shpejti…”.

Majlinda e njohur ndryshe edhe si ‘çika e artë’ fitoi medalje të artë në Lojërat Evropiane që u mbajtën në Minsk muajin e kaluar, derisa javën e kaluar në Grand Prixin e Budapestit çuditërisht nuk arriti që të fitonte medalje.

28 vjeçarja e lindur në Pejë ka fituar 43 medalje deri tani, në mesin e tyre 31 janë të arta, 6 të argjendta dhe 6 të bronzta. Suksesi më i madh është medalja e fituar në Lojërat Olimipike që u mbajtën në Rio më 2016.

Ajo filloi ta pushtonte botën e xhudos që në vitin 2009, ku në Pragë fitoi medaljen e parë, për të vazhduar më pas edhe në qytet tjera si në Sofje, Sarajevë, Tunis, Talin, Duseldorf, Lisbon, Romë, Minsk, Abu Dhabi, Amsterdam, Stamboll, Paris, Rio de Janiero, Varshavë, Tashkent, Tel Aviv e Budapest.

Majlinda filloi të merrej me xhudo që në moshën 8 vjeçare në qytetin e saj të lindjes, në Pejë, derisa e ka pranuar që gjatë rrugëtimit të saj jo të gjithë dëshironin që ajo të ishte e suksesshme, shkruan Periskopi.

“Kam pasur shumë probleme gjatë karrierës sime. Shumë gjëra dhe njerëz që u përpoqën të më ndalonin. Kur jeni i suksesshëm, jo të gjithë ju pëlqejnë, jo të gjithë ju mbështesin. Do të jetë gjithmonë dikush që do të përpiqet të ju shkatërrojë reputacionin tuaj, kështu që nuk ishte e lehtë, por unë jam e kënaqur me atë që kam arritur” ka thënë Kelmendi në një intervistë për “Euro Olympic”, pas triumfit muajin e kaluar në Minsk të Bjellorusisë.

Majlinda me fitoret e saj të arritura kudo në botë ka bërë që në disa vende që s’e njohin pavarësinë e Kosovës të dëgjohet himni ynë dhe flamuri valvitej në disa raste edhe para Rusisë e shumë vendeve tjera që nuk na njohin.

Madje në përballjen ndaj ruses Natalia Kuziutina në Minsk të Bjellorusisë të gjithë të pranishmit vërshëllyen dhe dëshironin që Kelmendi të humbiste, por aty ndodhi e kundërta, çika e artë e Kosovës triumfoi dhe bëri me shenjë të gjithëve te flamuri i shtetit tonë, duke thënë se ‘ne jemi këtu’.

Majlinda vazhdimisht është duke korrur suksese të njëpasnjëshme, derisa krahu i saj i djathtë në tërë këtë rrugëtim është trajneri i saj, Driton Kuka.

Driton Kuka është trajneri më i suksesshëm kosovar, njeriu që së bashku me xhudistët dhe xhudistet e tij solli qindra medalje Kosovës. Nuk thonë kot se ai po prodhon ar dhe argjend më shumë se Trepça.

Ai në një intervistë të dhënë kohë më parë ka thënë se ndihet i privilegjuar që është trajner i Majlindës, derisa thotë se ajo është vula e Pavarësisë së Kosovës.

“Ndihem jashtëzakonisht i privilegjuar që jam trajner i kampiones Olimpike. Po kam dëshirë shpesh ta potencoj se vula e Pavarësisë së Kosovës është pikërisht Majlinda,” ka thënë Kuka.

E tani vula e Pavarësisë së Kosovës siç thotë Driton Kuka do ta ketë statujën e saj prej bronzi.

Ndryshe, Majlinda Kelmendi synon edhe një tjetër medalje të artë në Lojërat Olimpike që do të zhvillohen vitin tjetër në Tokio të Japonisë. /PERISKOPI/

Shpërndaje në: