Mali i Zi iu referua Kosovës me fusnotë, nga ME tregojnë nëse ministrja Rizvanolli do të shkojë në samit

Mali i Zi iu referua Kosovës me fusnotë, nga ME tregojnë nëse ministrja Rizvanolli do të shkojë në samit

Mali i Zi ani pse e njohu Pavarësinë e Kosovës, herë pas here vazhdon ta mohojë këtë realitet. Këtë e dëshmon edhe një dokument i publikuar së fundmi, ku ministrja e Shoqërisë Digjitale dhe e Mediave, Tamara Srzentiq, i kishte nisur ftesë ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, për pjesëmarrje në Samitin digjital të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet nga 11 deri më 13 tetor në Mal të Zi.
Në ftesë, ministrja malazese shihet se i është referuar Kosovës me fusnotë prapa.

E për këtë, Periskopi ka kërkuar një përgjigje nga ministria e Ekonomisë, për të pyetur nëse ministrja Rizvanolli do ta pranojë këtë ftesë në këto rrethana.

Sipas ministrisë, Rizvanolli ende nuk u ka kthyer përgjigje organizatorëve nëse do të marrë pjesë apo jo në atë samit.

Ndërkohë, nga Ministria e Ekomonisë thonë se njëjtë fusnotë është vendosur edhe në të kaluarën.

‘’Ftesa e pranuar i referohet Republikës së Kosovës me fusnotë, njejtë si në praktikat e kaluara, gjatë tri edicioneve paraprake të këtij Samiti, ku edhe kanë marrë pjesë ministrat dhe përfaqësues tjerë të institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo është bërë në përputhje me statutin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC)’’, thuhet nga ME.

Sido që të jetë, kjo ka shkaktuar jo pak reagim në këtë vend.

Është vet mediumi malazez Antena M që ka bërë publik dokumentin e ftesës, dhe i cili e ka quajtur këtë veprim skandal diplomatik.

Mali i Zi nuk e shënon Kosovën me fusnotë në dokumentet zyrtare, sepse ky referim bëhet në rrethana të veçanta nëse Serbia insiston në të gjatë takimeve zyrtare të udhëheqësve të disa shteteve ku merr pjesë edhe përfaqësuesi i Kosovës.

Kjo për Kosovën erdhi më 2012-ën, pas një marrëveshjeje në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, për të mundësuar pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në konferenca e nisma rajonale, por dhe ato të nivelit më të gjerë ndërkombëtar.

Ajo nënkupton pozicionin e palëve karshi statusit të Kosovës, përkatësisht pozicionin e Serbisë në përputhje me Rezolutën 12 44 dhe pozicionin e Kosovës që mbështetet në opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës./PERISKOPI/

Shpërndaje në: