Mali i Zi rikthen maskat: 1 mijë raste në 24 orë me COVID-19

Mali i Zi rikthen maskat: 1 mijë raste në 24 orë me COVID-19

Hovi i ri i pandemisë COVID-19 i ka shqetësuar autoritetet shëndetësore në Malin e Zi. Gjatë 24 orëve të fundit, një person ka humbur jetën teksa janë regjistruar 1,022 infektime të tjera.

Aktualisht Mali i Zi numëron 6,516 raste aktive, 300 prej të cilëve në qytetin e Ulqinit.

Nga dita e premte, atje kanë hyrë në fuqi masat e reja epidemiologjike, sipas të cilave qytetarët detyrohen të mbajnë maska në të gjitha institucionet publike, farmacitë, dyqanet, pikat e karburantit, aeroportet dhe stacionet e autobusëve.

Nëse këto masa nuk ndikojnë në përmirësimin e situatës në periudhën afatshkurtër dhe numri i vdekjeve, infektimeve dhe shtrimeve në spital rritet, kreu i Institutit të Shëndetit Publik, Igor Galic, paralajmëroi se do të bëhet e detyrueshme mbajtja e maskave në të gjitha hapësirat e mbyllura.

“Për të parandaluar që kjo të ndodhë, me besimin se qytetarët do të respektojnë masat ekzistuese dhe masat e reja kundër pandemisë, është e nevojshme që ata persona të cilët nuk janë vaksinuar kundër COVID-19 ta bëjnë këtë sa më shpejt, ndërsa të tjerët të marrin dozat përforcuese”, u shpreh Galic.

Zyrtarët atje sqaruan se masat do të jenë në fuqi deri më 12 gusht./TCH

Shpërndaje në: