Me Malin e Zi demarkacioni u zvarrit, çka do të ndodhë me Serbinë?

Me Malin e Zi demarkacioni u zvarrit, çka do të ndodhë me Serbinë?

Republika e Kosovës ende nuk e ka zgjidhur definimin e kufirit shtetëror me Malin e Zi, për këto gati tri legjislatura të Parlamentit të Kosovës duke ndërruar deri më tani dy komisione.

Kjo stërzgjatje e definimit të këtij kufiri nuk është në favorin tonë. Pastaj, kjo qasje e bashkuar me stërzgjatjen do t’i kushtojë shumë vendit tonë. Me Malin e Zi, nuk është dashur të ndodhë ajo që po ndodhë në Parlamentin e Kosovës, në media dhe në përgjithësi në diskursin politik të shqiptarëve.

Kosova ishte pjesë e RSFJ-së dhe raporti ynë me malazezët historikisht nuk krahasohet fare me Serbinë. Nuk kemi patur nevojë të harxhojmë gjithë këtë energji për caktimin e kufirit me Malin e Zi. Kaherë është dashur të zgjidhet nga instancat tona apo të paktën t’iu drejtoheshim institucioneve ndërkombëtare.

Kur jemi dëshmitarë të kohës për këtë vonesë, përqendrimin do të duhej ta fokusonim në përgatitjen për definimin e kufirit me Serbinë. Dihet mirëfilli se ne shqiptarë jemi në një luftë të pashpallur e që po zgjatë për më tepër se një shekull me serbët, dhe serbët e kanë përvetësuar me dhunë një territor prej qindra kilometrash katror, dhe ishin po ata që n’a mbajtën të pushtuar më shumë se gjysmën e popullit tone për dekada.

Prandaj, definimi i kufirit të Kosovës me Serbinë do të jetë shumë më i vështirë dhe më kompleks për shkak të shumë rrethanave historike që veçse dihen. Nuk kemi dhe nuk mund të mohojmë se definimi i kufirit shtetëror në të njëjtën kohë është kufi ndërkombëtarisht i njohur Kosovë-Serbi, e ka kuptimin e plotë në të qenit kufi shqiptaro-serb.

Në caktimin e kufirit shtetëror të Kosovës me Serbinë nuk mund askush të harrojë që Medvegja, Bujanoci dhe Presheva janë krahinë shqiptare. Si do të ndërtohet qasja ndaj saj dhe nuk do të mund t’i mohohet e drejta edhe Tiranës zyrtare që të kontribuoj në këtë drejtim.

Kur me Malin e Zi, demarkacioni po zgjatet aq shumë – si do ta zgjidhim me Serbinë? A thua sa do të zgjas? Sa legjislatura do të duhej të debatonin, a do të kishte nevojë të kyqeshin edhe ndërkombëtarët? Të gjitha këto do të marrin përgjigjje nga koha.

Shpërndaje në: