Manastiri i Deçanit: Na mohohen të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligje të Kosovës

Periskopi.com Lajme

Lidhja e Historianëve të Deçanit i ka reaguar sërish Europa Nostres, për shkak të klasifikimit që ia ka bërë Manastirit të Deçanit, si një ndër objektet më të rrezikuara fetare në Evropë. Nga Manastiri i janë përgjigjur historianëve kosovarë, duke u thirrur në “të drejta të garantura nga Gjykata Kushtetuese dhe ligjet e Kosovës”

Nga Manastiri i Deçanit, përmes një llogarie në Tëtter, kanë reaguar sërish ndaj një deklarate të historianëve të Deçanit rreth sigurisë së Manastirit atje.

“Shpifjet e vazhdueshme të një grupi që e quan vetën ‘historianë të Decanit’, pavarësisht katër sulmeve të armatosura gjatë viteve të kaluara në Manastirin tonë, dhe gjithashtu, mohimi i vazhdueshëm i të drejtave tona të garantuara nga Gjykata Kushtetuese dhe ligjet e Kosovës, janë treguesit më të mirë se ne jemi të rrezikuar”.

Kryetari i degës së historianëve në Decan, Shkodran Imeraj, përmes një reagimi dërguar mediave, ka thënë se Manastiri i Deçanit, është nder vendet me të sigurta në Kosovë, pasi që objektin dhe zonën për rreth tij e sigurojnë forcat e Aleancës së NATO-së. Ai thotë se rrezikun Manastiri e ka nga kreu i saj, Sava Janjiq.

“Cilësimet e Organizatës jo-qeveritare (OJQ) “Europa Nostra”, për rrezikshmërinë e Manastirit të Deçanit, nuk janë të qëndrueshme. OJQ “Europa Nostra”, duhet të dije se Manastirin e Deçanit, që nga ndërtimi i tij e deri me sot, e kanë ruajtur dhe siguruar banorët vendas shqiptar. Pra, Manastiri i Deçanit nuk është i rrezikuar nga shqiptarët. Ai monumente rrezikohet vetëm nga politika dashakeqe e kreut të saj, Igumenti Sava Janjiq”, thuhet në reagim.

Këto përplasje rinisën pasi përfaqësues të Qeverisë së Kosovës u takuan me përfaqësues të organizatës “Europa Nostra”, e cila i kishte konsideruar Manastirin e Decanit” si një nga objektet fetare më të rrëzikuara në Evropë, në vitin 2021.