Manovrat ushtarake kineze, reagon Tajvani

Manovrat ushtarake kineze, reagon Tajvani

Presidenti i Tajvanit e ka konsideruar të papërgjegjshëm lëshimin e raketave nga Kina pranë fluturimeve të ngjeshura ndërkombëtare dhe rrugëve detare rreth ishullit, të cilat pjesë e manovrave ushtarake në përgjigje të vizitës së kryetares amerikane, Nancy Pelosi, në Taipei. Tsai i bëri thirrje Pekinit të veprojë me vetëkontroll më të madh.

“Tajvani nuk do të nxisë tensionet, por do të mbrojë sovranitetin. Ne përpiqemi të ruajmë status quo-në përtej ngushticës me një mendje të hapur për dialog konstruktiv” shtoi Tsai.

Të enjten, Pekini lëshoi ​​11 raketa balistike Dongfeng në ujërat rreth Tajvanit dhe gjithsej 22 luftëtarë kinezë kaluan vijën e mesme joformale që ndan ngushticën. Pas qëndrimit të mbajtur nga G7, Ministria e Jashtme kineze thirri ambasadorët e vendeve të grupit, përfshirë BE-në për të “shprehur zhgënjimin e plotë” në deklaratën që kritikonte manovrat ushtarake.

Ministria e Mbrojtjes e Taipeit ka njoftuar ndërkohë se, në ditën e dytë të stërvitjeve, avionët dhe anijet luftarake kineze kanë kaluar “vijën e mesme” të ngushticës së Tajvanit. Duke filluar nga ora 11:00 me orën lokale “më shumë avionë luftarakë dhe anije luftarake kineze kryen stërvitje rreth ngushticës së Tajvanit dhe kaluan vijën e mesme të ngushticës,” tha ministria, duke përcaktuar qëndrimin e Pekinit si “shumë provokues”.

Singapori ka anuluar fluturimet për dhe nga Tajvani për shkak të rritjes së kufizimeve të hapësirës ajrore. “Siguria e stafit dhe pasagjerëve është prioriteti ynë kryesor”, tha zëdhënësi i linjës ajrore.

Ndërkohë, Nancy Pelosi, në Tokio në fund të turneut të saj në Azi, thotë se SHBA “nuk do të lejojë” Kinën të izolojë Tajvanin. “Ata mund të përpiqen të pengojnë qytetarët tajvanezë që të vizitojnë vende të caktuara dhe të na pengojnë ne të udhëtojmë atje. Por ne nuk do t’i lejojmë ata të izolojnë Tajvanin,” tha kryetarja e Dhomës së SHBA./A2CNN

Shpërndaje në: