Marrëveshja për energjinë me Serbinë, Kurti: Ditët në vijim janë vendimtare

Periskopi.com Lajme

Kryeministri Albin Kurti duke folur për negociatat me Serbinë, përmendi çështjen e energjisë dhe marrëveshjen për këtë çështje, transmeton Periskopi.

Kurti tha se në ditët në vazhdim janë vendimtare nëse do të ketë finalizim të marrëveshjes për energjinë me Serbinë, negocimin e së cilës e ka në dorë Besnik Bislimi.

“Ditët në vijim janë vendimtare për të parë se a do të bëhet finalizimi i dakordimit për nisjen e zbatimit të udhërrëfyesit të energjisë andaj duhet të kemi shumë kujdes që as me gjysmë të vërteta të mos e dëmojmë procesin në ditët në vijim për shkak se po kërkohen pretekste për të devijuar nga marrëveshja afër së cilës jemi afër. Më lejoni ta potencoj se kjo marrëveshje nuk lidhet me liberalizimin e vizave ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret dhe e kemi rregulluar në masë të madhe imazhin e Kosovës”, tha Kurti.

“Ajo cka duhet të mbahet mend është që bëhet fjalë për katër shërbimet e dakorduara më herët, pra vendosja e matësve të energjisë, mirëmbajtja e tyre, faturimi dhe inkasimi dhe këtë obligim e kemi përmbushur e që i referohet takimit mes KEDS dhe palës serbe vetëm për këtë aspekt ata kanë biseduar. Nuk do të ketë asnjë shërbim shtesë në fushën e distribucionit përtej këtyre katër shërbimeve që i përmenda dhe përtej katër komunave në veri të Kosovës”, tha ai.