Martin Berishaj u bë shpejt e shpejt kosovar: Pak para se të propozohej për ambasador të Kosovës në Kroaci

Martin Berishaj u bë shpejt e shpejt kosovar: Pak para se të propozohej për ambasador të Kosovës në Kroaci

I propozuari për ambasador të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka shumë shtetësi. Në fillim e kishte shtetësinë malazeze. Më pas e mori edhe atë sllovene. Bëri përvojë me shtetësitë dhe shkroi librin “Identiteti dhe shtetësia”. Ndërsa, në vitin 2021, pak para se të propozohej për ambasador të Kosovës në Kroaci, e mori edhe shtetësinë kosovare me dekret të presidentes Osmani, raporton Demokracia.com.

Berishaj nuk ishte as kosovar kur i lakohej emri për ambasador të Kosovës. Ai ishte vetëm një anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, që i kishte ardhur koha t’i ktheheshin “disa të mira” të së kaluarës.

Demokracia.com ka siguruar kërkesën për shtetësi të të propozuarit për ambasador të Kosovës në Kroaci, të cilën Berishaj e kishte bërë më 7 janar 2021, kinse për “çështje shkencore”, meqë thoshte se ishte i angazhuar si “profesor vizitorë” mbi një dekadë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Osmani ishte asokohe u.d. presidente, ndërsa fushata politike po e arrinte kulmin e saj, raporton Demokracia.com.

Në shkresën e tij, Berishaj i betohet presidentes Osmani se do të jetë qytetar i devotshëm dhe do ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, por edhe zakonet e vendit tonë.

Kërkesa e Martin Berishaj për shtetësi të Kosovës

Në muajin maj, me rekomandim të Qeverisë Kurti, pak javë pasi që ishte votuar si presidente, Vjosa Osmani ktheu 12 ambasadorë të emëruar sipas “çelësit politik”, vendimi i të cilës ishte një prej precedentëve më të mëdhenj në diplomacinë e Kosovës.

Megjithatë, pak para se t’i nënshkruante vendimet për kthimin e ambasadorëve politikë, Osmani ia kishte dhënë shtetësinë me dekret presidencial Martin Berishajt, i cili veçse dihej që do të emërohej ambasador, ndonëse përflitej se nuk kishte shtetësi të Kosovës.

Demokracia.com e ka siguruar dekretin e presidentes Osmani, me të cilin shtetasit slloven Martin Berishaj, më 14 prill 2021 i ishte dhënë shtetësia e Kosovës për “çështje shkencore”, sepse pak kohë më pas do të propozohej si ambasador i Kosovës në Kroaci.

Dekreti i presidentes Osmani, me të cilin Martin Berishajt ia jep shtetësinë e Kosovës

Ndërsa me 30.09.2021 presidentja Osmani kishte lëshuar dekretin për emërimin e Berishajt ambasador i Kosovës në Kroaci.

Berishaj jeton në Lubjanë dhe është banor rezident në Slloveni. Ai është i angazhuar disa ditë gjatë javës si profesor i rregullt në Universitetin e Lubjanës në fusha të shkencave shoqërore.

Ndonëse është bërë kosovar për t’u bërë ambasador i Kosovës në Kroaci, Berishaj është e vërtetë që me “çështje shkencore” pritet të merret më shumë. /Demokracia.com/

Shpërndaje në: