Mashtrimi ashiqare: VV fryhet për drejtësinë kosovare, edhe pse rezultati njësoj

Mashtrimi ashiqare: VV fryhet për drejtësinë kosovare, edhe pse rezultati njësoj

Partia në pushtet, Vetëvendosje, ka mbushur më shumë se një vit në pushtet [numëruar edhe Qeverinë Kurti I] por duket se nuk po del të ambientohet me këtë rol. Së fundi, partia e Albin Kurtit është ‘fryrë’ sa i përket një indeksi që e mat progresin në Sundimin e Ligjit e me të cilën mburrej dikur edhe Kadri Veseli.

Se drejtësia dhe sundimi i ligjit në vend po përparon gradualisht është një qëndrim që i përkiste Partisë Demokratike të Kosovës [PDK] e deridiku edhe Lidhjes Demokratike [LDK] por jo edhe Vetëvendosjes, e cila kishte premtuar shpresën për ndryshime radikale [jo graduale] në vend.

Por, në mungesë të ndryshimeve radikale në sistem të drejtësisë, partia e Albin Kurtit ka zgjedhur që të lavdërohet edhe me ato ndryshime e përparime që ndodhën vazhdimisht e të cilat përmendeshin nga pushtetarët e kaluar, ndoshta me idenë se populli i Kosovës nuk do t’i kuptojë.

Së fundi, kjo parti politike në faqen e tyre në rrjetin shoqëror Facebook postuan për “Indeksin e Sundimit të Ligjit 2021 nga “World Justice Project” duke thënë që e rendit Kosovën “më së miri në rajon”.

Problemi është se Kosova ishte renditur “më së mirë në rajon” edhe në vitin 2020 kur në këto matje të World Justice Project ishte futur edhe Kosova.

FOTO EKRANI: Indeksi më 2020

Kosova që si më 2020 edhe më 2021 është grupuar mes shteteve të “Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore” është renditur e dyta, menjëherë pas Gjeorgjisë, por duke lënë prapa të gjitha vendet e rajonit tonë [Ballkanit Perëndimor] si Maqedonia e Veriut, Bosnja, Serbia dhe Shqipëria.

FOTO EKRANI: Indeksi më 2021

Në vitin 2021, Kosova është renditur e 60-a derisa më 2020 ishte renditur e 54-a, raporton Periskopi.

Thënë më qartë, Vetëvendosje po krenohet me arritjet e Kosovës në sistemin e drejtësisë gjatë 21 viteve të fundit, edhe pse dikur e shtynte përpara idenë se Kosova ishte mes vendeve më të korruptuara e më të kapura në Evropë. “Qe 20 vjet është vjedhë,” bëhet kësisoj “qe 20 vjet është punuar” brenda narrativës së saj.

Me këtë indeks vitin e kaluar ishte krenuar edhe ish kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli që madje edhe kishte sulmuar Vetëvendosjen që mohonte progresin e bërë me të cilin mburren tash.

“Ky indikator Indeksi i Sundimit të Ligjit] vlen veçanërisht si demantim ndaj atyre zërave nihilistë në Kosovë, që mohojnë çdo arritje e progres që ka bërë vendi ynë, e nuk humbasin rast për ta njollosur e dëmtuar pa të drejtë reputacionin e shtetit tonë.” – kishte thënë z. Veseli.

Nuk dihet nëse Vetëvendosje është distancuar nga qëndrimet e saj të së kaluarës për sundimin e ligjit duke qenë se ato përbëjnë kundërshtim të plotë me qëndrimin aktual. /Periskopi 

Shpërndaje në: