Mashtrimi i madh i Albin Kurtit me gazin e lëngshëm amerikan

Mashtrimi i madh i Albin Kurtit me gazin e lëngshëm amerikan

Shkruan: Ardian Kastrati (deputet në Kuvendin e Kosovës)

Për shkak trajtimit mjekësor të familjarëve të mi, të infektuar me variantin” Delta” të Virusit Korona, javën e kaluar nuk pata mundësi të marr pjesë në seancën e kuvendit. Paskam humbur mashtrimin e madh të radhës, që i bëhet publikut nga Albin Kurti (kësaj radhe përmes figurës më komike të qeverisë dhe një hipokriti të pakonkurueshëm, pra bëhët fjalë për Besnik Bislimin). Ky i fundit paska thënë se ” marrëveshja për gazin që vjen nga Maqedonia e Veriut nuk sjell as edhe një litër gaz nga ShBA-ja, i gjithë gazi që duhet të vijë nga linja prej Maqedonisë së Veriut është gaz azerbajxhan dhe rus”. Pra, sipas këtij “dijetari”,  i bie që SHBA-ja ka interesim që përmes fondeve amerikane të MCC të financojë sjelljen e gazit  nga Azerbejxhani dhe Rusia dhe jo gazin e lëngshëm amerikan,që në të ardhmen t’i diversifikojë burimet e energjisë në Kosovë ha- ha- ha.
O Bislim, kush po thotë vetëm përmes “marrëveshjes me Maqedoninë”. Ajo çfarë bën Maqedonia e Veriut është angazhimi dhe interesi i saj për projektin. Ndërsa, pyetja që shtrohet për qeverinë tonë është se çfarë po ndërrmerr ajo për diversifikimin energjetik e në këtë kuadër, dhe më konkretisht, për gazin e lëngshëm amerikan, ku patjetër se mund të hyjë në funksion edhe marrëveshja e Washingtonit edhe fondet e MCC, ndonëse jo të gjitha janë për gaz. Pra, qeveritarët po gënjejnë e manipulojnë se “s’ka asnjë litër gaz amerikan”. Arsyeja e vërtetë është se qeveria nuk ka asnjë interesim ndaj iniciativave rajonale e amerikane për gazin e lëngshëm amerikan. Interesimi i kësaj qeverie është ta revitalizojë bllokun “A” në Obiliq ( i ndërtuar në vitet 1950-ta të komunizmit) për të punësuar pastaj aty qindra militantë e klientë ( secili shumëzim me 4 anëtarë mesatarisht në familje dhe kjo prodhon me mijëra vota në të ardhmen).
Bislimi ose nuk po di ta shpjegojë saktë  situatën ( të lindësh i pa ditur nuk është mëkat, është faji i natyrës) ose nëse e ka dijen, atëherë i bie që tekstualisht kjo qeveri po refuzon projektet e mundshme rajonale për gazin e lëngshëm amerikan në të ardhmën.

Projektet e marrëveshjet për gazin që po diskutohen këto ditë (natyrisht përveç diversifikimeve tjera energjetike),  përgadisin rajonin që në të ardhmën të furnizohet edhe me gazin e lëngshëm amerikan, dhe kjo është e sigurtë. Për këto projekte, qeveritë e shteteve të rajonit kanë shprehur interesim, por deri më tani këtë interesim nuk e ka shfaqur Albin Kurti.

Ja faktet:
* Greqia
Gazi i lëngshëm amerikan do të shkarkohet dhe rigjenifikohet në terminalin e Aleksandropulos (qytet në Greqi) dhe pastaj të transportohet në tregjet e rajonit.

*  Maqedonia e Veriut

Ndihmës-sekretari i Shtetit për Energjetikë dhe Resurse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francis R. Fanon, është takuar me kryeministrin, Zoran Zaev, edhe për këtë temë. Maqedonia e Veriut do të përfshihet në projektin e terminalit të gazit natyror të lëngshëm pranë qytetit grek Aleksandropulos ( nuk bëhet, pra fjalë vetëm për gazin e Azerbejxhanit e Rusisë, siç paska thënë  Besnik Bislimi, por edhe për gazin e lëngshëm amerikan).

*  Republika e Shqipërisë

Më 3 tetor 2020 me qëllim të diversifikimit të burimeve të energjisë në rajon ( pos tjerash edhe me  gazin e lëngshëm amerikan), kryeministri, Edi Rama, nënshkroi në Tiranë një memorandum bashkëpunimi ekonomik me Nënsekretarin e SHBA-së për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach. Stacioni i rigazifikimit mund të ndërtohet në Porto Romano ( Durrësi përmendet edhe në Marrëveshjen e Washingtonit, natyrisht pa u specifikuar vetëm për gazin). Kësaj i parapriu edhe marrëveshja e mëhershme në mes të ministres së Infrastrukturës dhe Enegjisë, Belinda Balluku dhe “Exxon Mobil” dhe “Excelerate Energy”, për futjen e gazit të lëngshëm natyror nga Amerika (LNG) në Shqipëri.

* Bullgaria

Qeveria e Bullgarisë përmes ndërmarrjes “Bulgartransgas” u bë pronar i një të pestës së terminalit në Aleksandropulos në Greqi, duke e ngritur diversifikimin e burimeve të saj energjetike në maksimum.

* Republika e Kroacisë

Në qytetin Krk, tanimë, Kroacia ka ndërtuar terminalin e gazit të lëngshëm, i cili është edhe një tjetër mundësi për furnizim me gazin e lëngshëm.

* Republika e Serbisë

Edhe pse nën frikën e shantazheve ruse, Vuçiç dhe Brnabiç formalisht kanë shprehur interesim për gazin e lëngshëm amerikan nga Greqia, por janë arsyetuar se Greqia nuk u ka dhënë ofertë zyrtare.

* Republika e Kosovës

Nuk ka shprehur interesim zyrtar për projektet ( që pos tjerash) e mundësojnë furnizimin me gazin e lëngshëm amerikan në të ardhmen. Faktet e mësipërme janë në dritën e diellit dhe Besnik Bislimi po gënjen kur thotë  se nuk bëhët fjalë për furnizim as edhe me një litër të gazit të lëngshëm amerikan në Kosovë.

*  Si  realizohet ky projekt?
Pas ndërtimit të terminalit në Aleksandropulos, Kosova ka mundësinë që përmes një pjese të fondeve amerikane  të MCC ( pra, vetëm një pjesë dhe jo gjithë 200 milionëshin), përmes kredive, pastaj pak nga fondet qeveritare dhe pak nga fondet evropiane pa kthim ( si rasti i terminalit në Krk) ta ndërtojë një termocentral gazi dhe gazifikimi për ta marrë gazin e lëngshëm amerikan nga Greqia në Kosovë në të ardhmën. Mundësia tjetër është përmes Marrëveshjes së Washingtonit ( kundër së cilës marrëveshje është Kurti).
Bislimi në parlament paska thënë se gazi likuid amerikan transportohet me kamiona dhe jo me tubacione ( shyqyr që s’ka thënë me qerre të kuajve).  Me demek, është e pa mundur ta sjellin në Kosovë si të tillë dhe del më i shtrenjtë në treg. Kjo automatikisht rrëzohet nga Marrëveshja e Washingtonit.
Në Marrëveshjen e Washingtonit thuhet se Korporata Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC) do të jetë në shërbim financiar për  një paketë infrastrukture, por edhe për projekte të tjera dypalëshe mes Kosovës e Shqipërisë, siç janë terminali dhe tubacioni i gazit, që në të ardhmën do ta lidhte Shqipërinë me Kosovën. Pra, gazi i lëngshëm amerikan do të mund të transportohej ( pa kamionat e Bislimit)  nga Shqipëria në Kosovë kur atje do të ndërtohej terminali. Njëkohësisht, Exim Bank, do të kreditojë blerjen e gazit të lëngshëm më të lirë amerikan, për t’i rrëzuar argumentet e Serbisë,  Rusisë e besa edhe  të Besnik Bislimit se gazi i lëngshëm amerikan për shkak të transportit me kamiona e tankera del më i shtrenjtë se gazi rus.

* Çfarë do të përfitonte Kosova nga ky projekt?

Kjo do të mund të fuste në lojë edhe njohjen e Kosovës nga Greqia. Kot në Kosovë nuk ishte për vizitë ministri i Jashtëm grek! Kjo do të sillte siguri nga SHBA-ja në të ardhmen, sepse ushtarët e saj do të vinin në formë të gazit amerikan dhe s’kishte për të pasur nevojë për shpenzime për ushtarë amerikanë mbi tokë. S’ka bir nane që guxon ta prekë atë territor ku qarkullon gazi i lëngshëm amerikan. Efektet ekomike për qytetarin do të ishin të jashtëzakonshme.

* Kur do të mund të realizohej ky projekt?

Natyrisht se ky nuk është projekt që realizohet lehtë. Këtu nuk flitet për ndërtimin e një fushe volejbolli në fshatin e Besnik Bislimit. Këto projekte lëvizin gjeopolitikat, dhe, pikërisht këtu, është qëllimi final i SHBA-ve, që përmes projekteve të këtilla, ta minimizojnë ndikimin rus në Serbi e rajon. Këto nuk janë projekte për praktikantë në qeveri si Besnik Bislimi, që shohin vetëm deri te hunda. Këto janë projekte  strategjike të infrastrukturës, që bëhën me plane afatgjata dhe për të tilla plane nevojitet qeveri serioze. Rasti i suksesit me gaz i Greqisë, Turqisë, Lituanisë, Polonisë, Bullgarisë dhe së fundmi i Kroacisë, tregon se sa gjatë kanë punuar për gazin e lëngshëm këto shtete. Kroacia p.sh. tanimë në qytetin kroat Krk i ka shitur të gjitha kapacitetet e gazit, ndërsa në Lituani pas vendosjes së terminalit me gazin e lëngshëm amerikan, Lituania e ka detyruar Rusinë që gazin rus t’ia shes 20% më lirë se në të kaluarën, sepse diversifikimi e rrit konkurencën.

Në këtë funksion është edhe Marrëveshja e Washingtonit që e kundërshton Albin Kurti.

Marrëveshja e Washingtonit do të thotë fundi i monopolit të Rusisë në tregun e gazit serb dhe hapja e derës për gazin natyror të lëngshëm amerikan,  i cili një ditë nga Porto Romano në Shqipëri përmes Kosovës, mund të shkojë deri në Nish. E pikërisht kjo do të ishte humbja e madhe e Rusisë në rajon.

Pse nuk po lejon Kurti që Kosova të bëhët pjesë e këtyre iniciativave rajonale për gazin e lëngshëm amerikan?
Një nga arsyet ka mundësi që, zanafillën e ka ideologjike . Kurti ka probleme me qasjet e sistemit politik amerikan, pra jo vetëm me njërën apo tjetrën administratë amerikane.
E dyta, siç e thashë në fillim, është evidente përpjekja për ta rivitalizuar Kosovën ” A” me qymyr, për të punësuar qindra votues të tij ( që me familjet e tyre, më vonë, të krijonë mijëra votues).
E treta, e shpresoj mos të jetë kjo, ndoshta Kurti s’ka kohë për projektet amerikane për gaz, duke ju ofruar kështu një shteti të fortë brenda BE-së, që po i kërkon një autonomi për serbët në veri në këmbim të njohjes së Greqisë dhe liberalizimit të vizave.
Ka mundësi asnjëra prej këtyre arsyeve nuk qëndron, mirëpo në këtë rast qëndron arsyeja tjetër, që Kosovën po e qeverisin kasnecat.
Ndoshta është e vështirë për t’u spjeguar pse ndodh ky hezitim për bashkëpunim në projektet për gazin amerikan, por një është e qartë, se për një grusht votash, Kurti prapë po i merr në qafë gjeneratat e tëra, duke harruar se edhe të tjerët do të jetojnë pas tij.

Shpërndaje në: