Mashtrimi që po i bëhet popullit për Kombëtaren e Kosovës

Mashtrimi që po i bëhet popullit për Kombëtaren e Kosovës

Para dy vitesh, Kombëtarja e Kosovës quhej “Brazil i Ballkanit” dhe shihej si burim krenarie për shoqërinë pas rezultateve të mira në Kualifikimet për “Euro 2020”. Para katër vitesh, Kombëtarja e Kosovës shahej keq dhe shihej si burim turpi për shkak të deklasimeve të njëpasnjëshme që pësonte në Kualifikimet e “Botërorit 2018”.

Para katër ditësh, Kosova sërish u quajt “Brazil i Ballkanit” pasi e mposhti 4-0 Lituaninë. Para dy ditësh, Kosova u sha keq dhe u pa si burim turpi pasi u mposht 0-3 nga Suedia.

Kjo luhatje kaq radikale ndjesish shpreh boshllëkun e identitetit tonë kombëtar por edhe fluiditetin e tij. Ky fluiditet i imponueshëm i identitetit e bën tepër të rëndësishëm qoftë edhe një ekip të vetëm sporti, meqë është përcaktim i të ardhmes nga e tashmja, për dallim nga identiteti i kaluar arkaik. Ky i fundit përcaktohej më shumë në të kaluarën, duke e bërë këtë kohë më të gjallë bile edhe se të tashmen, dhe duke e bërë më të rëndësishme ‘mirëqenien’ e heronjve në histori se sa mirëqenien e qytetarëve në të sotmen. Por, identiteti i ri ndërtohet nga ‘vend-ndodhja’ që i përcaktojnë vendit në botë disa lojëra sporti, se sa ta zëmë prodhimi bujqësor.

Kombëtarja e Kosovës në futboll është kësisoj një përcaktuese identitare ashtu siç ishte lufta dikur. Ajo ka përkthyer luftën, gjuhën e saj, dhe pikërisht për atë arsye krenaria dhe turpi që ndërton janë më të mëdha se sa Bruto-Produkti Vendor [GDP] apo ndonjë element tjetër matës me kombet tjera.

Për dallim nga gati çdo komb tjetër në Evropë, Kosova e ka vetëm futbollin si sport popullor. Kjo e bën edhe më të rëndë “turpin”. Kombëtarja e Kosovës në futboll kësisoj nuk është thjesht kombëtare futbolli, por kombëtare që përfaqëson çdo sport tjetër. E meqë sporti nuk kuptohet në thelbin e tij që shprehet nga etimologjia [si mjet për të kaluar kohën e lirë, për t’u dëfryer], Kombëtarja bëhet mbuluese e dështimeve e zhgënjimeve edhe në fushat e tjera ku kombi ynë do të matej me kombet e tjera.

Por, cila është forca reale e Kombëtares së Kosovës në futboll, kategoria e burrave?

Luhatja radikale nga turpi në krenari, e nga krenaria në turp, lë të kuptohet se nuk ka një të kuptuar kolektiv mbi forcën reale të Kombëtares së Kosovës. Ajo herë shihet si një “Brazil i Ballkanit” e herë si San Marino.

Në fakt, Kosova nuk është kombëtarja më e fortë në Ballkan. Madje, është e vështirë të gjejmë një kombëtare tjetër më të dobët. Ndoshta, vetëm Mali i Zi. E megjithatë, ajo që shqetëson nuk është aq shumë ekipi aktual kombëtar sa e ardhmja e tij.

Kombëtarja jonë varet tepër shumë nga lojtarët e diasporës duke e pasur një ligë shumë të dobët vendore. E megjithatë, lojtarët më të mirë të diasporës nuk luajnë për Kosovën por për ekipet e tjera kombëtare. Përveç kësaj, lojtarët më të shtrenjtë të Kombëtares aktuale të Kosovës janë tre futbollistë të rritur në ligën e Kosovës.

E gjithë vlera e Kombëtares së Kosovës me 26 futbollistë sipas TransferMarkt është 77 milionë e 200 mijë euro. Tre lojtarët e rritur në Kosovë – Muriqi, Rashica e Rrahmani – përbëjnë gjysmën e asaj vlere, ose 38 milionë.

Por, diaspora përbën 18 nga 26 lojtarët e ekipit tonë kombëtar. Vetëm tetë [bashkë me treshen e lartpërmendur] kanë kaluar nëpër klubet kosovare.

Kjo tregon së pari potencën e madhe të Ligës së Kosovës për të prodhuar futbollistë të mëdhenj. Por në tjetrën tregon edhe aktualitetin e saj të varfër.

Kosova nuk mund të mbështetet në lojtarët e diasporës për ta rritur cilësinë e ekipit kombëtar. Lojtarët që gjejnë hapësirë në kombet ku janë rritur do të na refuzojnë. E lojtarët që vijnë nuk do ta kalojnë kurrë vlerën 10 milionëshit.

Ajo që duhet kuptuar një herë e mirë është se cilësia e ekipit tonë kombëtar është direkt e lidhur me punën që bëhet në ligën vendore. Prandaj, nëse nuk kemi ndërmend – siç po duket –  të bëjmë punë serioze e të konkurrojmë me shtetet tjera në fusha tjera zhvillimi, të paktën duhet të investojmë seriozisht në këtë sport kaq popullor ashtu siç ka bërë Shqipëria. Ndryshe, do të mbesim autsajderë të përjetshëm!

Shpërndaje në: