Material për polici e psikologë: Konkurrentja e It’s My Love dhunon tjetrën, arsyetohet nga drejtuesit e emisionit

Periskopi.com Showbiz

Sinqerisht, edhe për sa kohë duhet të vazhdojë ky mjerim…

Sikur degjenerimi i deritanishëm të mos mjaftonte, emisioni It’s My Love është shndërruar në një platformë mediale legjitime për Prokurorinë e shtetit, shkruan Periskopi.

Nga angazhimi i konkurrentëve qartazi me probleme evidente të shëndetit mental, te ekspozimi i personave nën moshën ligjore për përfitime të ulëta mediatike, It’s My Love është shndërruar në diçka të cilën është e pamundur të shikohet në një ambient të shëndoshë familjar.

Sidoqoftë, ajo që ka ndodhur së fundmi është absolutisht përtej kornizave ‘të pranueshme’ edhe në sytë e atyre që e mbajnë mbyllur njërin sy dhe vazhdojnë ta përcjellin këtë format me interesim.

Në episodin e fundit të këtij emisioni degjenerues e promovues të antivlerave, dy konkurrente rrihen me njëra-tjetrën.

Në fakt, njëra sulmon tjetrën, teksa e para i drejtohet me ‘mshele’. Shuplaka pason menjëherë pas këtyre fjalëve në thonjëza që i vendosëm pak më parë.

Imagjinoni, merr guximin në prani të dhjetra kamerave ta godas me shuplakë rivalen për një arsye jashtëzakonisht të ulët siç është fjala gjatë argumentimit.

Dëshmi e qartë dhe material për ekspertë të shëndetit mental që të merren me këtë çështje.

Por këtu nuk mbaron horrori… pasi shfaqen skenat e tilla, drejtuesi i emisionit, zotëri Valon Maloku mundohet ta balancojë, ta neutralizojë dhe ta minimizojë situatën absolutisht të tmerrshme të dhunës, duke thënë:

”Unë nuk do ta fajësoj asnjërën, për shkak situata që tensionohet gjatë bisedave sjellë deri te një tensionim i tillë,” nëse ka kuptim logjik kjo që ka thënë.

Por, kjo nuk është as për së afërmi storia e plotë e krejt kësaj ngjarjeje që të jep ankth kur e shikon e dëgjon dhe të bën të mendosh si është e mundur që kjo po shfaqet në TV dhe po e marrin guximin me kaq nonshalancë të arsyetojnë dhunën në këtë mënyrë.

Kur viktima mundohet ta hedh në pah se dhuna nuk arsyetohet dhe kur përfshinë edhe policinë si institucion me interes, zotëri Maloku – baba, burrë e bir i dikujt – shprehet:

”Nuk munësh m’i thonë dikuj ‘mshele’. Ti ia ke cënu e para lirinë e shprehjes që e ki të garantuar me kushtetutë.”

Mund ta besoni? Oh Zot i madh, plus kur viktima – edhe ashtu e terrorizuar nga dhuna fizike – mundohet ta kundërshtojë, ky reagon me: ”Ia nalni mikrofonin deri sa ta kryj unë.”

Zonja dhe zotërinj, jemi dëshmitarë të – pa e ekzagjëruar po e themi – momenteve më të errëta dhe më zemërthyese në histori të televizionit shqiptar.

Sinqerisht, njeriu kursen agresorin dhe i thotë viktimës ‘ti nuk munësh m’i thonë dikuj mshele’, sikur shuplakën e ka me borgj nëse e thotë atë fjalë.

Situata shkon edhe mëtutje duke u bërë e pakëndshme dhe e vështirë të shikohet pa përjetuar ankth dhe shqetësime serioze për mirëqenien e atyre konkurrentëve aty.

Në vazhdim e merr fjalën ‘analistja’ me emrin Antigona Kotorri, e cila javë pas jave mundohet të predikojë sjelljen e duhur të një femre dhe një mashkulli në një takim dashurie dhe ‘lufton’ për të drejtat dhe emancipimin e grave.

Kjo është deklarata e saj, kur i kërkohet të japë një mendim për atë që ndodhi:

”Raportet pa konflikte janë raporte pa emocione. Kur ne kemi emocione, atëherë ato edhe eskalojnë.

”Duhen dhe zhgënjehen, për atë mas zhgënjimit vjen edhe dhuna,” oh Zot i madh, për të satën herë na bënë ta përmendim ‘Zotin’ me këto komente thjesht përtej gjithçkaje të arsyshme dhe njerëzore.

Por ende nuk kemi arritur as deri te pjesa më e mirë e zonjës së nderuar, vetëm analizoni fjalët e saj më poshtë:

”Une e kuptoj Inën (agresoren) për reagimin e saj. Nuk e përkrahi por e kuptoj, sepse Ina sa e di unë për Albanën ka bë shumë, vetë e ka pru këtu, e ka njoftu me mu. E ka end me makinë, u kujdes çka ka me bo e gjëra të tjera.

”Ina nuk arsyetohet që i ka ra (e ka goditë në gjuhën e zonjës), qyshdo që të jetë janë emocionet që kulmojnë në momente të caktume. Por njerëzit kanë pritshmëri, gjithmonë këto reagime vijnë prej pritshmërisë së tepërt.”

Sidomos ky komenti ‘Ina nuk arsyetohet që i ka ra’, para se të mundohet ta futë agresorin nën mantelin e ’emocioneve të tepërta’, janë thjesht gjithçka për të cilën ne luftojmë si shoqëri ta evitojmë.

Veprimet e tilla manipulative dhe minimizuese ndaj dhunës së shfaqur inkurajojnë edhe më shumë përhapjen e saj, derisa metoda të tilla përdorin vetë agresorët për t’i mbajtur viktimat nën kontroll duke përdorur terrore të tilla psikologjike, të ngjashme me këto të zonjës në fjalë.

Është koha që organet e rendit të ndërhyjnë dhe duhet ta bëjnë me shpejtësi madje, pasi pranimi i një situateje të tillë është dritë e gjelbër për eskalim edhe të mëtutjeshëm të situatës qartazi të dalë tashmë nga kontrolli. /Periskopi.com/