Mbështeti Albin Kurtin, linçoi drejtues mediash – Besnik Berisha zgjedhet anëtar i bordit të KPM-së

Mbështeti Albin Kurtin, linçoi drejtues mediash – Besnik Berisha zgjedhet anëtar i bordit të KPM-së

Besnik Berisha është zgjedhur anëtar i bordit të Komisionit të Pavarur për Media me mandat katër vjeçar.

Ai mori 70 vota nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, duke dalë më i votuari.

Berisha në postimet e tij publike në Facebook, e ka mbështetur hapur Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, deputetët e së cilës e kanë shumicën në parlament.

“Egërsia me të cilën sulmohet kryetari i VV-së nga disa ‘analistë’ buron nga frika se do e humbin grazhdin shtetëror”, shkruante Berisha në një postim të tij, të datës 25 janar, 2021, ku e citonte Kim Mehmetin, transmeton Gazeta Insajderi.

Një shkrim tjetër të gjatë, të publikuar më 9 shkurt 2021, pak ditë para zgjedhjeve të 14 shkurtit, ai bënte thirrje indirekt që të votohej partia e Albin Kurtit.

“Le të shpëtojmë veten dhe ata më 14 shkurt nga kjo e keqe të cilën kurrsesi s’po mund ta shohim nga brenda. Ndryshimi do të ua largojë sado pak edhe atyre këtë virus shtet-shkatërrues”, shkruante Berisha, transmeton Gazeta Insajderi.

Berisha në disa postime të tij, e ka linçuar publikisht edhe Valon Sylën, drejtuesin e Gazetës Metro, i cili herë pas herë debaton nëpër studio edhe për ngjarjet politike.

“Shumë ma mirë e kish lujt ky “Xhek Setrën” sesa Naser Rafuna. Mega-primitivizimi i këtij soji që fyen çdo vlerë kombëtare dhe tenton të shuaj çdo shpresë po i bind edhe pjsën e vogël neutrale të shoqërisë se duhet mbështetur shansin e fundit për ndryshimin thelbësor”, shkruante Berisha më 28 janar të 2021, transmeton Gazeta Insajderi.

Ky nuk është postimi i vetëm, ku Berisha e ka linçuar publikisht Sylën.

“Richard Grenell dhe Valon Syla kanë bo be që kane me fol derisa ta bijnë VV-në në 80%” shkruante më 3 mars 2021, Berisha, që tash është zgjedhur anëtar i KPM-së, transmeton Gazeta Insajderi.

Në një shkrim të datës 15 janar të vitit 2021, Berisha ka edhe disa fjalë për Ilir Mirenën, që drejton Gazetën Periskopi.

Pavarësisht kësaj, zgjedhja e Berishës për anëtar të Komisionit të Pavarur për Media është përkrahur fuqishëm nga shoqëria civile.

Shpërndaje në: