Mbi 1 mijë raste të dhunës ndaj grave u raportuan në 2021, disa përfunduan me vrasje

Periskopi.com Lajme

Çdo ditë që kalon paraqitet ndonjë rast i ri në Polici dhe në media për dhunën që gratë e përjetojnë. Policia thotë se po angazhohet në parandalimin e këtyre rasteve por të dhënat dhe shoqëria civile e thotë të kundërtën.

Vetëm gjatë vitit 2019 janë katër raste kur burrat ua morën jetën grave të tyre. Por që nuk lihet anash as viti 2020 që dërgoi në pesë numrin e viktimave të vrara nga bashkëshortët e tyre, në ndërkohë gjatë vitit të fundit janë të raportuara tri raste të vrasjeve në familje, por që shumë nga kryerësit ende nuk janë kapur nga organet e drejtësisë.

Këtë e bëri të ditur Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Policia thotë se në vazhdimësi është angazhuar në parandalimin e këtyre rasteve. Megjithatë statistikat tregojnë se rastet veç janë rritur nga viti në vit.

“Policia e Kosovës që nga themelimi i ka trajtuar me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje. Policia e Kosovës në vazhdimësi ka bashkëpunuar me institucionet relevante për të parandaluar dhe nëse ndodhin për t’i trajtuar rastet e dhunës në familje. Policia ka përdorë forma të ndryshme për të arritur këtë qëllim, si: fushatat, shpërndarja e fletë-palosjeve më porosi konkrete, ligjërata në shkolla etj. Natyrisht se bashkëpunimi me media dhe përdorimi i rrjeteve sociale na ka ndihmuar që porosia jonë të përhapët dhe të shkojë të sa më shumë persona, e ky është qëllim primar i yni, sepse pas vetëdijesimit, vije deri te shtimi i njoftimeve për raste të tilla. Viti 2016 ka 1225 raportime, pas tij në vitin 2017 numri i raportimeve rritet për 44 raportime duke shkuar numri në 1 mijë e 269, por që nuk lihet pas as viti 2018, ku numri i raportimeve rritet për 264 raste. Në ndërkohë viti 2019 e qon numrin e raportimeve në 1 mijë e 914, pastaj është viti 2020 ku numri i raportimeve është 2 mijë e 69, si dhe vitin e fundit me 1 mijë 374 raportime”, ” thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Adelina Berisha nga “Rrjeti i Grave të Kosovës”, tregon se dhuna në Kosovë është një fenomen mjaft i shprehur, ku mbi 80% e kësaj dhune janë gra dhe vajza.

Po ashtu, ajo tregon se në vitin 2020 kanë qenë mbi 2060 raste të dhunës në familje, kurse sipas një hulumtimi në vitin 2015, 68% e grave të Kosovës kanë përjetuar dhunës në familje gjatë jetës së tyre.

“Në Kosovë dhuna në familje është mjaftë e shprehur prej të dhënave nga institucionet, veçanërisht nga policia që janë si dera e parë ku viktimat shkojnë me raportuar dhunën. Mbi 80% e dhunës në familje janë gra dhe vajza, pjesa tjetër mund të jenë fëmijë dhe mund të jenë të moshuar, shumë më pak preken burrat dhe djemtë, më shumë djemtë dhe më pak burrat. Ndërsa sa i përket sa janë të shtrirë, e di që vjet kanë qenë mbi 2060 raste të dhunës në familje. Për këtë periudhë për momentin nuk i kam të dhënat këtu, ndërsa sa i përket shtrirjes në familje, hulumtimi i rrjetit të grave i bërë në vitin 2015 ka gjet se diku 68% e grave kosovare kanë përjetua ndonjë formë të dhunës në familje gjatë jetës së tyre, janë të dhëna vetëm për dhunën në familje. Si brenda familjes, po ashtu edhe në hapësirat publike gratë cenohen dhe ndaj grave ushtrohet dhunë në forma të ndryshme, qoftë ajo fizike, seksuale, ekonomike apo psikologjike emocionale,” thotë ajo.

Ajo thotë se gratë të cilat dhunohen vendosen në strehimore, ku kanë të drejtë qëndrimi deri në gjashtë muaj, por kanë raste edhe kur strehimoret i kanë mbajtur deri në një vit. Kjo sipas saj, nuk është zgjidhje.

“I kemi qendrat për punë sociale të cilat do të duhet të jenë të gatshme të ndihmojnë gratë që kanë përjetu dhunë por veçanërisht fokusi i tyre duhet të jenë fëmijët që janë pre apo viktima pse prindërit e tyre janë në marrëdhënie të dhunshme. Në anën tjetër i kemi strehimoret të cilat e bëjnë strehimin dhe këshillimin psikologjik dhe social dhe ligjor për viktimat e dhunës në familje, mirëpo në strehimore sipas legjislacionit vendor viktimat mund të rrinë deri në gjashtë muaj, kjo nuk nënkupton që viktimat largohen pas gjashtë muajve, kemi pas raste kur strehimoret janë tregu të hapura dhe i kanë mbajt viktima edhe më gjatë, mirëpo kjo nuk është zgjidhje sepse edhe nëse rrinë një vit ato prapë duhet të dalin nga këto strehimore”, tregon ajo.