Mbi 36 mijë kosovarë bartin armë me leje

Mbi 36 mijë kosovarë bartin armë me leje

Ajo që dihet është se numër i madh i armëve pa leje qarkullojnë në Kosovë.

Megjithatë një numër i konsiderueshëm i kosovarëve janë kujdesur që të pajisen me leje për armët që mbajnë.

E, të tillë janë 36 mijë e 15 qytetarë.

Këto janë statistika zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

MPB ka thënë për RTV Dukagjini se procesi i legalizimit do të vazhdojë edhe më tutje.

“MPB ka realizuar një periudhë të legalizimit të armëve (ku janë dorëzuar 2000 kërkesa) dhe ka në plan që sa më shpejt që është e mundur të shpallë fushatat e legalizimit dhe dorëzimit të armëve varësisht nga ecuritë të hartimit të politikave. Janë lëshuar 1800 pëlqime në procesin e legalizimit. Kosova ka pasur strategjinë për armët e vogla dhe të lehta 2017-2021 dhe është në proces të miratimit të strategjisë së re 2022-2024″, ka thënë MPB.

Një politikë të tillë e sheh si pozitive njohësi i fushës së sigurisë, Drizan Shala.

Sipas tij, armët me leje nuk paraqesin rrezik për qytetarët e Kosovës.

“Çdo armë që kalon procedurën administrative dhe lejen për tu përdorur nga përdoruesit e tyre, nga pronarët, ku dihet se lejet që lëshon Ministria e Brendshme janë leje rekreacioni, leje për koleksion të armëve të caktuara, pra këto armë nuk paraqesin rrezik për qytetarët e Kosovës. Sepse dihet ata që marrin leje duhet ta kalojnë një filter të sigurisë”, është shprehur Shala.

Megjithatë Shala kritikon Ministrinë për procedurat e komplikuara për pajsije me leje për armëmbajtje.

“Të ketë një shkurtim të aspektit administrativ ku për tu pajisur me një armë të cilën qytetarët e përdorin për rekreacion most ë ketë një procedurë të tejzgjatur”, ka shtuar ai.

Në bazë të statistikave në Kosovë gjenden rreth 250.000 armë ilegale në posedim të qytetarëve.

Çdo vit, Policia konfiskon mesataraisht 1.500 armë ilegale.

Shpërndaje në: