Mbi 80 mijë lëndë gjyqësore në veri pritet të zgjidhen nga serbët
Por, gjyqësori i integruar nuk do të ndodhë sivjet, ndërsa vakuumi juridik në veri të vendit më së shumti i ka goditur qytetarët e asaj pjese të Kosovës. Kështu të paktën kanë konkluduar juristë, avokatë dhe përfaqësues të Qendrës për Kulturë Demokratike në veri të Mitrovicës, shkruan gazeta ‘Zeri’.
Në një debat, i cili është organizuar në veri të Mitrovicës përkitazi me funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, është folur në veçanti për shumë lëndë të vjetruara, si dhe për lëndët e pazgjidhura nga gjykatat në veri të Mitrovicës.
Lëndët janë transferuar në Vushtrri dhe aktualisht është duke funksionuar Gjykata dhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës. Pjesëmarrësit në debat kanë thënë se vetëm në veri të Mitrovicës janë mbi 80 mijë lëndë të pazgjidhura, ndërsa në gjithë Kosovën janë mbi 500 mijë lëndë të pazgjidhura.
Me Marrëveshjen e Brukselit ishte paraparë që integrimi i plotë i gjyqtarëve dhe i prokurorëve serbë në institucionet e drejtësisë në Kosovë të përfundojë deri në shtatorin e këtij viti, por puna ka ngecur pas miratimit të Ligjit për “Trepçën”, të cilin serbët e asaj pjese nuk e pranojnë.



