Mblidhet Kryesia e AAK-së, diskutohet formimi i Qeverisë

Mblidhet Kryesia e AAK-së, diskutohet formimi i Qeverisë

Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nesër do të mblidhet për diskutuar disa çështje, në mesin e të cilave edhe konstituimin e institucioneve të reja, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhje.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net deputetja e ardhshme e AAK-së, Teuta Haxhiu, e cila është shprehur e bindur se shumë do të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit dhe më pas edhe Qeveria e re.

“Ka kaluar një kohë prej mbajtjes së zgjedhjeve deri te certifikimi i rezultateve, që nuk është në interes të vendit. Por mendoj që shumë shpejt do të ndodhë konstituimi i institucioneve të reja. Nesër do të kemi një mbledhje të kryesisë së partitë dhe do të diskutojmë shumë çështje, duke e përfshirë edhe këtë të konstituimit të institucioneve. Besoj që në ditët e para pas certifikimit të rezultateve do ta kemi Qeverinë e re”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo më tej ka thënë se do të ishte në interes të vendit që koalicionit fitues të zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma (PAN) t’i bashkohen edhe subjekte tjera. Megjithatë, Haxhiu thotë se e rëndësishme është që Qeveria “Haradinaj” do të zgjidhet shumë shpejt.

“Po flas vetëm në emrin tim për këtë çështje. Mendoj se është në interes të vendit që të kemi koalicion më të gjerë, por e rëndësishme është se Qeveria do të bëhet… Qysh në ditët e para të Qeverisë së re, qytetarët, edhe ata që nuk na kanë votuar, do ta kuptojnë se Qeveria e drejtuar nga Haradinaj është ajo që i është dashur Kosovës”, ka shtuar Haxhiu.

Shpërndaje në: