Mbylleni Gjykatën Speciale!

Mbylleni Gjykatën Speciale!

Një humbje kohe dhe një shpenzim i kotë burimesh për një institucion që diskriminon mes etnive në Kosovë dhe vepron si aktor politik

Nga Harry Bajraktari

Dhoma Specialiste e Kosovës (e nohur si Gjykata Speciale) ka njollosur figurën e saj duke ndërhyrë me një proces politik: Nismën e SHBA-së për të ndërmjetësuar mes Kosovës dhe Serbisë.

Zyra e Prokurorit të saj bëri publike një padi të mundshme kundër Presidentit të Hashim Thaçi, ndërsa ky ishte duke fluturuar drejt Uashington-it për një takim me homologun e tij serb, Aleksander Vuçiq.

Thaçi ndërpreu menjëherë udhëtimin e tij dhe me anë të një dekarate publike premtoi të japë dorëheqjen nëse paditet vërtet. Ai përsëriti besimin se do të dalë i pafajshëm.

E kam kritikuar Thaçin në të kaluarën dhe kam shprehur dyshimet e mia për çfarëdo bisedimesh me Serbinë që përfshijnë ndryshime të kufirit. Mirëpo, e mbështes deklaratën e tij dhe ndaj të njëjtin dyshim me të për këtë abuzim flagrant nga ana e Gjykatës Speciale.

Kosovës. Themelimi i saj në 2015 u bë me një vendim të parlamentit të Kosovës, përmes një presioni të paparë nga komuniteti ndërkombëtar. Shumë deputetë votuan në bazë të informacionit se ekzistonin prova të qarta për krime lufte. Gjykata Speciale filloi nga puna shpejt pastaj në 2016. Nuk ka asnjë llogjikë që asgjë nuk ndodhi në gjithë këto vjet, e që më në fund, një padi e mundshme u bë publike vetëm në momentin kur Thaçi u nis drejt Uashingtonit për të nisur bisedimet. Kjo padi mund të ishte ngritur tre muaj më parë. Ose gjashtë muaj më parë. Ose një vit më parë. Ose pas ditë pas bisedimeve në Uashington. Sidomos nga që nuk ishte vërtet një padi zyrtare, po një kërkesë për padi. Çfarë është bërja e saj publike në këtë kohë përveçse një lëvizje me synime politike? Një veprim i nxituar, pas vitesh përgjumjeje.

Unë po ua lë analistëve e opinionistëve politikë ta gjejnë se pse e nga kush u sabotuan bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA. Mirëpo, është me rëndësi të shqyrtojmë këtu rolin e Gjykatës Speciale.

Vitin e kaluar në mënyrë të ngjashme, kryeministri Ramush Haradinaj u urdhërua që të paraqitej në Hagë. Ai u bind dhe menjëherë dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Momenti ishte përsëri i dyshimtë. Haradinaj ishte duke i rezistuar presionit të madh ndërkombëtar për të anulluar tarifën ndaj mallrave serbe. Mbase këto janë thjesht rastësira, mirëpo edhe njëherë tjetër Gjykata Speciale u kap duke kryer veprime që më shumë kanë efekt politik sesa vlerë për drejtësinë. Nuk duhet harruar se Haradinaj ishte gjykuar tashmë dy herë në Tribunalin e famshëm të Hagës për ish-Jugosllavinë. Si askush tjetër në histori. Dhe që të dy herët ishte shpallur i pafajshëm.

Por, edhe pa këto veprime të njollosura nga politika, Gjykata Speciale mbetet thellësisht problematike dhe diskriminuese që në thelb të saj. Ajo është hartuar që të përndjekë vetëm shqiptarët në një shtet shumetnik. Kjo është një fyerje për çdo parim që komuniteti ndërkombëtar ka predikuar në rajonin tonë. Nga njëra anë, drejtësia ka dështuar në përndjekjen e kriminelëve të luftës që vranë mijëra civilë, përdhunuan mbi njëzetmijë vajza e gra shqiptare, dëbuan me dhunë mbi një milionë shqiptarë nga trojet e tyre, shkatërruan qindra objekte të kultit, e dogjën e vodhën mbarë vendin. Nga ana tjetër, i vetmi grup për të cilin ekziston një gjykatë tani është një grup të rinjsh që u ngritën për të mbrojtur me armë shtëpitë, familjen, dhe lirinë e tyre.

Edhe vetë themelimi i Gjykatës Speciale tani përngjan jo si një përpjekje për të sjellë drejtësi, po si një akrobaci politike për të krijuar barazim mes palëve, një lloj shprehje e shëmtuar e dyanshmërisë, që krahason agresorin me viktimën.

Ne i jemi përjetë mirënjohës Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për luftën e saj për liri e demokraci.

Anëtarët e UÇK-së, udhëheqësit e të cilëve kërcënohen nga Gjykata Speciale sot, nuk shkuan në Beograd apo në qytetet serbe për të luftuar e vrarë. Përkundrazi, makina ushtarake serbe dhe gangsterët paraushtarakë erdhën te ata. Te shtëpitë e tyre, te familjet e tyre, te jetët e tyre për të kryer genocid. Regjimi i Millosheviqit kishte nevojë për një luftë të re që të mbijetonte dhe ua imponoi një luftë të re. Mirëpo, si e gjithë bota edhe të rinjtë që u bashkuan me UÇK-në e kishin parë se çfarë kishte ndodhur në Bosnje dhe vendosën të mbrojnë me çdo kusht familjet, shtëpitë, dhe lirinë e tyre.

Ndërkohë që agresori – Serbia – nuk ka dënuar kriminelët e saj të luftës, nuk ka kërkuar falje për krimet e tyre, dhe nuk ka ofruar asnjë dëmshpërblim për dëmet e rënda të luftës në Kosovë, ajo ka ecur lehtësisht në integrimin europian. Ministri i saj i Jashtëm, Ivica Daçiq, ka qenë ministër i Informacionit në regjimin e Millosheviqit. Presidenti Vuçiq ka qenë zëvendësi i udhëheqësit me fashist të Serbisë, Vojislav Shesheljit dhe nxitës i krimeve të luftës në Bosnje. Komuniteti ndërkombëtar duhet të turpërohet që i trajton këta apologjistë të krimeve të luftës si partnerë të respektuar.

Dhe sigurisht nuk është Presidenti i Serbisë por ai i Kosovës që kërcënohet me gjykatë sot. Jo njerëzit që u përpoqën të kryejnë genocide, por ata që i rezistuan janë nën hetim.

Çfarë ironie themelimi i kësaj Gjykate anti-shqiptare Speciale në një kohë kur Serbisë nuk po i kërkohet llogari për terrorizmin e saj shtetëror në vitet 1990. Kur udhëheqësit e saj as që po tregojnë keqardhje për çfarë ndodhi. Kur, përkundrazi, po tallen me viktimat dhe thirrjet e tyre për drejtësi dhe po i trajtojnë sikur këta të ishin kriminelët.

Nëse Gjykata Speciale nuk zgjeron punën e saj për të përfshirë krimet e të gjitha etnive në Kosovë dhe premton që të mos përzihet në çështje politike, atëhere Kuvendi i Kosova duhet të rishikojë vendimin e tij dhe si dhe statusin e kësaj gjykate. Standardet e dyfishta e zbatuara haptazi janë një ofendim për viktimat e luftës. Nëse nuk vini dot në vend drejtësinë, të paktën mos u tallni me ta.

Harry Bajraktari është themelues dhe botues i gazetës Illyria (1991-1998), një drejtues i komunitetit shqiptaro-amerikan, filantrop dhe përfitues i shumë çmimeve, duke përfshirë Nderin e Urdhrit të Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medaljen Presidenciale të Kosovës për Meritat & Bardhë Thirrja Presidenciale e Shtëpisë për Amimin e Shërbimit.

Shpërndaje në: