Mbyllet ‘Air Albania’ për një javë

Mbyllet ‘Air Albania’ për një javë

Skuadrat e kryeqytetit do të duhet të privohen sërish nga të luajturit në impiantin më modern në vend, “Air Albania”. Gjatë ditëve të fundit në këtë stadium janë zhvilluar shumë ndeshje, duke përfshirë Superioren e Kombëtaren dhe përgjegjësit për mirëmbajtjen e fushës kanë kërkuar patjetër që në terrenin e blertë të mos luhet për një javë.

Ndeshja e fundit që do të zhvillohet, përpara se fusha të nisë rehabilitimin, do të jetë ajo e Kombëtares së femrave ndaj rivaleve nga Norvegjia, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës. Më pas, deri më datë 2 dhjetor, stadiumi nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshje.

Tirana është e vetmja skuadër kryeqytetase, që nuk ndikohet nga kjo lëvizje. Bardheblutë dy ndeshjet e ardhshme ndaj Skënderbeut dhe Egnatias i luajnë në transfertë. Ndryshe ndodh me Dinamon dhe Partizanin, që do të duhet të spostohen në “Elbasan Arena”, fusha e të cilit u rigjenerua së fundmi dhe është në kushte të mira.

“Nëndetësja” do të duhet të dalë jashtë kryeqytetit për të luajtur si pritëse ndaj Kastriotit më datë 28 nëntor. Partizani gjithashtu do të spostohet në Elbasan për të luajtur duelin e fortë ndaj Teutës pas tre ditësh.

Ndaj Skënderbeut, ndeshje e planifikuar për t’u luajtur më datë 4 dhjetor, me siguri do të mund të luhet në “Air Albania” sepse në këtë datë fusha do të jetë e gatshme të presë ndeshje. Me këtë lajm, konfirmohet edhe vazhdimi i “zierjes së çorbës” me stadiumet në këtë nisje të sezonit futbollistik.

Shumica e skuadrave po e kanë të pamundur të luajnë në qytetet e tyre dhe në këtë mënyrë po ua bëjnë akoma më të vështirë tifozëve, për t’i ndjekur në stadium. Në të njëjtën kohë, ulen edhe të ardhurat e klubeve nga arkëtimet për biletat.

Shpërndaje në: