Mbyllja e çerdheve është kthyer në shqetësim dhe telash për prindërit

Mbyllja e çerdheve është kthyer në shqetësim dhe telash për prindërit

Mbyllja e çerdheve për shkak të situatës së rënduar me pandeminë është bërë shqetësim për prindërit. Në mungesë të çerdheve shumë prindër po detyrohen të bëjnë disa kilometra rrugë për t’i dërguar fëmijët tek familjarët në mënyrë që mos ta humbasin punën.

Vendimi i fundit i qeverisë së vendit ka shkaktuar reagime të shumta nga prindërit. Shumë nga ata këtë vendim e cilësojnë të padrejtë sepse edhe kur numri i të infektuarve ishte edhe më i madh ato ishin të hapura.

16 kilometra në ditë i bën nga Fushë Kosova në Prishtinë dhe anasjelltas Arta Elezi, nënë e dy fëmijëve të cilët i duhet t’i dërgojë te familja e saj për përkujdesje.

Veç kohës, Arta, nënë vetëushqyese thotë se kjo gjë i kushton edhe financiarisht. Madje tregon se vitin e kaluar për këtë shkak humbi edhe vendin e punës.

Edhe Ardiana Thaçi, nënë e tre fëmijëve, thotë se lajmi për mbylljen e çerdheve i gjeti shumë të papërgatitur meqë marrja e vendimit ishte një ditë para fillimit të javës.

Thaçi thotë se pas disa peripecive zgjidhja e vetme i mbeti marrja e një kujdestareje për fëmijët.

Me rishikimin e masave qeveria e Kosovës ka vendosur që nga data 13 shtator të mbyllen edhe institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar duke përfshirë edhe institucionet e arsimit parashkollor.

Numri i fëmijëve në çerdhe dhe parashkollor është rreth 30 mijë./rtk

Shpërndaje në: