“Me këto paga nuk jetohet”, punëtorët të zhgënjyer nga Qeveria Kurti

Periskopi.com Lajme

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve po shënohet në Kosovë me protesta.

Në Prishtinë ka nisur protesta e organizuar nga Federata Sindikale e Punëtorëve të  Sektorin Privat te Kosovës.

Në këtë protestë po marrin pjesë udhëheqësit e shoqatave sindikale në komunën e Prishtinës.

Në fillim, pjesëmarrësit mbajtën një minutë heshtje për punëtorët që vdiqën aksidentalisht në vendet e tyre të punës.

“Meqë sot është një ditë e veçantë për punëtorët, dua t’i ngushëllojë të gjitha familjet e punëtorëve që pësuan aksidente fatale në vendet e tyre të punës për të siguruar kafshatën e gojës. Dhe tani ftoj të gjithë pjesëmarrësit për një minutë heshtje”, tha njëra nga organizatoret.

“Me këto paga nuk jetohet”, tha më pas një aktivist sindikal, i cili foli për keqtrajtim të punëtorëve nga shteti dhe kompanitë private.

“Pronarët e kompanive sjellen ndaj nesh sikurse ne të jemi makina amortizuese dhe në një moment kur ne e humbim fuqinë tonë, këta na hedhin në rrugë sepse këtë shteti ua lejon”, tha ai.

Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorin Privat, Jusuf Azemi foli pas tij. Tha se “sindikata luftoi për punëtorët”. Tutje Azemi theksoi se Qeveria nuk bëri asgjë për punëtorët.

“I nderuar Z. kryeministër i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti, kam një pyetje për ju. Pse në ditën e vikendit, pse në ditën e festës, pse na shtyre që të dalim dhe të protestojmë?”, tha ai.

Azemi përmendi edhe largimin e punëtorëve jashtë shtetit, duke i bërë thirrje Qeverisë që të shqetësohet për këtë fakt.

Ai theksoi edhe numrin e vogël të inspektorëve të punës si kritikë për Ekzekutivin.