Me mbi 20 mijë nënshkrime, përfundon fushata pro shamisë: MASHTI na premtoi ndryshimin e UD-së

Periskopi.com Lajme

Organizatorët e kampanjës pro shamisë për vajzat e mitura në shkolla e kanë shpallur të përfunduar fushatën dhe kanë thënë se kanë marrë premtime nga ministria se Udhëzimi Administrativ që është në fuqi do të shfuqizohet.

Liridon Kurti iniciator i kësaj fushate ka bërë një postim në Facebook ku thotë se peticionin e kanë nënshkruar mbi 20 mijë persone prej të cilëve 45% femra dhe 55% meshkuj.

“Njoftojme opinionin publik se pas konfirmimit se kërkesa për anulim të nenit 3 paragrafi 1.13 të Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 është marrë serioziosht dhe garancive që kjo dispozitë do të fshihet para fillimit të vitit të ri shkollor, kampanja #ndryshojeni_ua_për_shaminë shpallët e përfunduar. Peticioni online për 48 orë ka mbledhur mbi 20 000 nënshkrime nga të cilat 45% femra. Të dhënat personale do të asgjësohen në bazë të legjislacionit në fuqi. Falendërojmë secilin person që ka përkrahur këtë nismë fisnike, përmes të cilës është synuar t’i ipet fund diskriminimit dhe të garantohet qasje e barabartë në arsim”, ka shkruar ai.

Ai ka kërkuar që të ndalohen komentet nëpër postimet e bartësve të institucioneve dhe se do të shfrytëzojnë mjetet juridike në rast se ministria nuk përmbush premtimin e dhënë ndaj tyre.

“Ju sigurojmë se në rast se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk përmbush detyrimin ligjor, ashtu si ka premtuar se do ta bëj, do të shfryzëtojmë mjetet juridike në fuqi për të siguruar ligjshmërinë. Nga sot ju kërkojmë që të ndaloni së komentuari nëpër postimet e bartësve të funksioneve publike.  Ju njoftojmë se çdo përdorim tani e tutje i hashtagut #ndryshojeni_ua_për_shaminë nuk ka asnjë lidhje me kampanjën dhe iniciatorët e saj”, ka thënë ai.