Më në fund lajmërohet edhe Xhelal Sveçla për vrasjen e Hamide Magashit nga ish-burri i saj

Më në fund lajmërohet edhe Xhelal Sveçla për vrasjen e Hamide Magashit nga ish-burri i saj

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pothuajse pas 24 orëve vjen me një reagim për rastin tronditës ku një grua shtatzënë mbeti e vrarë nga ish-burri i saj para klinikës së Gjinekologjisë.

Sveçla shprehet i tronditur nga vrasja makabre e Hamide Magashit dhe fëmijës së saj pak orë pa lindur nga ish-bashkëshorti i saj.

Ai thotë se ka kërkuar angazhim maksimal nga Policia e Ksoovës për arrestimin e Sokol Halilit, vrasësit të dyfishtë.

Më poshtë keni postimin e plotë të Sveçlës:

Si të gjithë qytetarët e vendit tonë, jam tronditur nga vrasja makabre e Hamide Magashit dhe fëmijës së saj pak orë pa lindur nga ish-bashkëshorti i saj.

Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal të të gjithë zyrtarëve policorë për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë të kriminelit dhe vrasësit të dyfishtë, Sokol Halili.

Arrestimi dhe drejtësia janë urgjenca e këtij rasti dhe ftoj edhe qytetarët të bashkëpunojnë me policinë nëse kanë informata që mund të lehtësojnë apo përshpejtojnë këtë proces.

Po ashtu, që nga momentet e para e në vazhdimësi kam kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër.

Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë. Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës.

Ju siguroj që janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme policore që sa më parë ky kriminel të arrestohet dhe të sillet para organeve të drejtësisë.

Shpërndaje në: