Me rastin e 70-vjetorit të Kushtetutës së Gjermanisë

Me rastin e 70-vjetorit të Kushtetutës së Gjermanisë

E drejta nuk guxon asnjëherë të jetë mjet i politikës dhe anasjelltas, politika duhet në vazhdimësi të jetë shprehje e shtetit të së drejtës. Vendimet gjyqësore kurrë nuk guxojnë të merren në bazë të oportunizmit partiak apo sipas personave të privilegjuar – para ligjit të gjithë janë të barabartë. As me dënime, as me lirime asnjëherë nuk duhet krijuar përshtypja e favorizimit; drejtësia është e pavarur. Dhe drejtësia e ndarë duhet respektuar nga secili person dhe secili institucion. Në Gjermani nuk ekzistojnë mekanizma për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe do të ishte plotësisht e paimagjinueshme që një vendim të mos zbatohet, nga niveli qendror deri tek ai komunal

“I vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij ndaj Zotit dhe njerëzve, i frymëzuar nga vullneti, si anëtar i barabartë i një Evrope të bashkuar t’i shërbejë paqes në botë, populli gjerman mbi bazën e pushtetit kushtetues ka nxjerrë këtë kushtetutë.“

Me këtë vetëdije ne festojmë sot 70-vjetorin e Kushtetutës së Republikës Federale të Gjermanisë. Me 70 vjetët e saj, Kushtetuta mund të rikujtojë një të kaluar emocionuese, edhe pse kjo moshë nuk është aq e vjetër për një Kushtetutë dhe një shtet.

Shpesh më pyesin pse për mua personalisht, por edhe për gjermanët në përgjithësi parimi dhe zbatimi i sundimit të ligjit kanë rëndësi të madhe. Ne jemi djegur nga përvoja të hidhura, sepse me periudhën e nacional-socializmit në kujtesën tonë kolektive është ngulitur pashlyeshëm njëri nga rastet më të këqija të mungesës së sundimit të ligjit në historinë më të re. Mirëpo e drejta duket që edhe sot kuptimin më të madh të saj e merr atëherë kur nuk garantohet, apo garantohet vetëm pjesërisht. Po të kishte qenë i suksesshëm atentati kundër Hitlerit, më 20 korrik 1944, deklarata e parë e Qeverisë së Rezistencës do të kishte filluar me fjalët: Detyrë e parë është rivendosja e madhështisë së përsosur të ligjit. Qeveria duhet vetë të jetë e vëmendshme të mënjanojë çdo veprim arbitrar dhe për këtë qëllim t’i nënshtrohet një kontrolli të rregullt nga populli. Tek baballarët dhe nënat e Kushtetutës, ky fakt ka lënë gjurmë dhe mbahet në mend deri në ditën e sotme: kurrë më veprime arbitrare, ligji do të jetë mbi të gjitha. Për të përcaktuar rëndësinë e Kushtetutës në jetën tonë të përditshme, ju lus që t‘më ndiqni në një udhëtim në të kaluarën, në orën e lindjes së ligjit themelor.

Jemi në vitin 1949 në Bon. Kanë kaluar katër vjet që nga kapitullimi i pakusht i forcave të armatosura gjermane në Luftën e Dytë Botërore. Katër vjet pas përfundimit zyrtar të luftës dhe me këtë edhe ekzistencës shtetërore të Gjermanisë.

Gjermania gjendej në një periudhë të karakterizuar nga administrimi i fuqive pushtuese perëndimore, dhe Bashkimit Sovjetik, si dhe pasojave të tiranisë nacional-socialiste. Popullsia në përditshmërinë e saj ballafaqohej me pasojat e një lufte shkatërrimtare. Në kokat e njerëzve krimet e kryera, ekseset e dhunës dhe çështja se si vetë ata duhet të sillen me gjithë atë që kishte ndodhur, u bë preokupim kyç.

Në të njëjtën kohë, populli ishte edhe në pritje të Luftës së Ftohë, meqë tensionet në mes të fuqive perëndimore dhe Bashkimit Sovjetik sa vinin e ngriheshin.

Në këtë kohë nuk kishte një kushtetutë të përbashkët të zonave të pushtimit.

Me propozim të guvernatorëve ushtarakë të zonave të perëndimit, kryeministrat e zonave të pushtimit u ngarkuan me hartimin e një kushtetute të re, për të themeluar një shtet të perëndimit.

Fondamental gjatë hartimit të Kushtetutës ishte tejkalimi përfundimtar i strukturave nacional-socialiste dhe parandalimi i rifuqizimit të një Gjermanie totalitare nacionaliste. Qëllimi që duhej të arrihej me çdo çmim dhe njëherë e përgjithmonë, ishte parandalimi i ringjalljes së një diktature. Kjo vlente veçanërisht për shkak se marrja e pushtetit në vitet 1933 kishte ndodhur shumë më shpejt sesa kishte mundur të perceptohej.

Para këtij sfondi historik ligji themelor mund të interpretohet si një koncept i kundërt me regjimin nacional-socialist dhe për nga struktura, deri në detaje është i ndërtuar ashtu që të mësohet nga përvojat e së kaluarës dhe të përjashtohet çdo përsëritje e një padrejtësie të tillë.

Kjo bëhet edhe më e qartë me përfshirjen e garancisë së përjetshme. Nëpërmjet garancisë së përjetshme sigurohet që askush asnjëherë nuk mund t’i eliminojë, apo ndryshojë të drejtat fondamentale dhe me këtë t’i keqpërdorë ato për qëllime të veta. Personaliteti dhe dinjiteti njerëzor paraqesin vlerën më të lartë juridike brenda rregullit kushtetues. Këto të drejta shteti nuk guxon t’ua marrë kurrë qytetarëve, pavarësisht si pozicionohen cilat do grupacione politike.

Besimi i gjermanëve në shtetin e sotëm ndërlidhet në masë të madhe drejtpërdrejt me Kushtetutën dhe me mekanizmat shoqërues të kontrollit.

Rol kyç në këtë mes luan Gjykata Kushtetuese në Gjermani. Që nga viti 1951 si mbrojtëse dhe garantuese e respektimit të ligjit themelor, ajo kontribuon në atë që ajo të respektohet nga shteti me të gjitha vendimet e saj dhe legjislacionin. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të parevokueshme dhe obligative për organet kushtetuese të federatës dhe lendeve, si dhe të gjitha gjykatat dhe institucionet.

Gjykata Kushtetuese përmes vendimeve të saj i jep jetë ligjit themelor, si dhe vendos impulse të reja.

Në këtë mënyrë qytetarët mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese me një ankesë kushtetuese, nëse janë të bindur se iu janë shkelur të drejtat themelore. Pikërisht kjo mundësi tregon sa e ndërthurur është jeta jonë me të drejtën kushtetuese. Ligji themelor qëndron si re mbi të gjithë qytetarët dhe iu jep atyre siguri të së drejtës ligjore, pavarësisht për cilin aspekt jetësor bëhet fjalë, qoftë për pjesëmarrje në një demonstratë, për praktikimin e një feje të caktuar, apo ushtrimin e një profesioni.

E drejta nuk guxon asnjëherë të jetë mjet i politikës dhe anasjelltas, politika duhet në vazhdimësi të jetë shprehje e shtetit të së drejtës. Vendimet gjyqësore kurrë nuk guxojnë të merren në bazë të oportunizmit partiak apo sipas personave të privilegjuar – para ligjit të gjithë janë të barabartë. As me dënime, as me lirime asnjëherë nuk duhet krijuar përshtypja e favorizimit; drejtësia është e pavarur. Dhe drejtësia e ndarë duhet respektuar, nga secili person dhe secili institucion. Në Gjermani nuk ekzistojnë mekanizma për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe do të ishte plotësisht e paimagjinueshme që një vendim të mos zbatohet, nga niveli qendror deri tek ai komunal.

Pikërisht në kohën e tashme, në të cilën jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën kanë zënë fill tendencat e aty-këtushme të përjashtimit dhe izolimit, Kushtetuta me përkushtimin e saj për t’i shërbyer paqes në botë nuk e ka humbuar aspak aktualitetin. Në këtë kuptim, ajo me të drejtat themelore që garanton mund akoma të shërbejë si kompas, si për qytetarët, ashtu edhe për shtetin.

Për të gjithë ne që jetojmë në Gjermani ligji themelor është baza jonë e përbashkët. Një Kushtetutë, e cila e mbron secilin individ dhe i garanton gjithsecilit një zhvillim të lirë dhe të sigurt të jetës. Për këtë arsye Kushtetuta për ne është dhurata më e çmuar e shtetësisë sonë, ashtu që sot dëshirojmë ta kujtojmë dhe festojmë në mënyrë të veçantë. Kushtetutës së Kosovës i dëshiroj një zhvillim të ngjashëm. Vendimtarë janë pranimi dhe zbatimi i saj nga të gjitha institucionet, si dhe respekti i të gjithë qytetarëve.

(Autori është ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë. Shkrimi është shkruar ekskluzivisht për “Koha Ditore“)

Shpërndaje në: