Me vetëm 335 raste aktive, këtë javë pritet të shtrëngohen masat anti-COVID

Me vetëm 335 raste aktive, këtë javë pritet të shtrëngohen masat anti-COVID

Komiteti për koordinimin dhe vlerësim të COVID-19 të shtunën ka mbajtur një mbledhje ku është paralajmëruar se javën që po vjen pritet të shqyrtohen masat e reja anti-Covid.

Edhe pse në Kosovë aktualisht janë vetëm 335 raste aktive, ndërsa edhe pozitiviteti i rasteve ditore nga testimet e reja del të jetë me një përqindje tejet të ulët, ku shumicën e rasteve nuk arrin në 1 përqind, masat pritet të rivlerësohen.

Në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, ku njoftohej për mbledhjen e Komitetit për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës me COVID-19 thuhet se duke pasur parasysh situatën epidemiologjike dhe variantet në qarkullim, gjatë javës së ardhshme masat do të rishqyrtohen.

“Duke pasuar parasysh situatën epidemiologjike lidhur me COVID-19, variantet në qarkullim dhe , me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës, gjatë javës së ardhshme do të rishqyrtohen masat në fuqi dhe do të marren masa të tjera, sipas nevojës dhe zhvillimeve lidhur me COVID-19.”, thuhet në komunikatë.

Tutje, në komunikatën e lëshuar përmenden variantet Delta dhe Delta Plus, por gjithashtu edhe varianti i ri i COVID-19, Omicorn (B.1.1.529) i cili është regjistruar fillimisht në Afrikë e pastaj edhe në disa vende të Evropës.

“Pjesë e këtij takimi, në të cilin është diskutuar për zhvillimet pas identifikimit të varianti i ri të koronavirusit, Omicron (B.1.1.529) fillimisht në Afrikë e pastaj edhe në disa shtete jashtë këtij kontinenti, , në mënyrë virtuale ka qenë edhe Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, i cili ndodhet jashtë vendit. Në takim u konstatua se situata me pandeminë në vendet në rajon, Evropë dhe më gjerë është përkeqësuar javët e fundit dhe, përkundër që në Kosovë numri i rasteve të COVID-19 është i vogël në javët e fundit, situata është jostabile, në veçanti duke pasur parasysh faktin se ka dy variante në qarkullim (varianti Delta që është akoma dominues dhe varianti Delta Plus), ndërkohë që informatat e para flasin që varianti tjetër i SARS –COV-2, Omicron, karakterizohet me shumë mutacione, përhapje të shpejtë dhe nuk ka shumë informata rreth rezistencës së tij ndaj vaksinave. Për këtë qëllim u kërkua nga qytetarët e vendit që t’i zbatojnë masat në fuqi, të vaksinohen, derisa nga institucionet përgjegjëse, si Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse, u kërkuar që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës, në të gjitha degët e ekonomisë dhe veprimtaritë arsimore e institucionale.” shkruhej në komunikatë.

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar vetëm 6 raste pozitive, 5 pacientë janë shëruar, ndërsa numri i testimeve ka qenë 1514, e pozitiviteti i rasteve vetëm 0,39 përqind.

Tash e disa javë, Kosova po vazhdon të ketë shifra të ulta sa i përket rasteve të reja me COVID-19 dhe vdekjeve si pasojë e këtij virusi, por sipas raportimeve, masat pritet të ashpërsohen – në favor të parandalimit dhe luftimit të varianteve të reja me COVID-19.

Kohët e fundit, në Kosovë ka rënë ndjeshëm edhe numri i personave që po vaksinohen. Derisa muaj më parë, ritmi i vaksinimit është përshpejtuar dukshëm, tani duket se qytetarët kanë filluar të relaksohen dhe të bojkotojnë procesin.

 

Shpërndaje në: