Media gjermane: Shqipëria dhe Kosova kërcënohen nga përmbytje, priten reshje rekord

Periskopi.com Lajme

Përmbytje të mëdha rrezikojnë të prekin vendin tonë gjatë kësaj jave dhe javës së ardhshme. Alarmi është dhënë nga media gjermane “Focus.de”, e cila parashikon që reshjet e shiut të kapin shifra rekord, deri në 300 litra shi për metër katror në 24 orë.

Përmbytjet pritet të përfshijnë të gjithë Mesdheun, por kryesisht në Shqipërinë Jugore dhe Greqinë Veriore, zona të cilat do të përballen me reshje më të dendura.

Sipas medias gjermane, shiu do të shkaktojë përmbytje ekstreme dhe rrëshqitje dheu, ndërsa alarmi ngrihet edhe për tornado që pritet të aktivizohen pranë bregdetit.

Por jo vetëm Shqipëria dhe Greqia do të preken nga shiu. Bregdeti italian i Adriatikut, Kroacia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe pjesë të Rumanisë gjithashtu do të kenë mot me reshje të dendura.

“Por ajo që do të ndodhë në Greqinë veriore dhe Shqipërinë jugore është e vështirë të kalohet. Dikush nuk mund të paralajmërojë sa duhet për të. Në Greqinë veriore dhe Shqipërinë jugore ekziston një rrezik për jetën e qytetarëve”, shkruhet ndër të tjera në artikull.