Mediat italiane zbulojnë lidhjet e Bleona Tafallarit me ata që po ‘përgatitnin’ sulm në Kosovë

Mediat italiane zbulojnë lidhjet e Bleona Tafallarit me ata që po ‘përgatitnin’ sulm në Kosovë

Bleona Tafallari, 19 vjeçe, me shtetësi italo-kosovare, është arrestuar nga autoritetet italiane me dyshimet për lidhjet e saj me terrorizmin. 

Siç e përshkruan gazetaitaliane “Corriere Della Serra’,Tafallari është një vajzë e imët, me syze dhe e mbuluar me nikab, të cilës i shihen vetëm sytë.

Ajo thuhet se ka qenë gjithmonë e lidhur me smartfonin e saj, në të cilin kalonte orë të tëra duke biseduar.

Ajo që vërehet në telefonin e saj, është përdorimi i flamurit të Shtetit Islamik si ‘emotikon’-i më i shpeshtë.

Gjithashtu në telefonin e saj janë gjetur edhe imazhe e video të mizorive të ndryshme si prerje kokash të kryera nga terroristët e ISIS-it.

Bleona Tafallari gjithashtu kishte biseda të shumta në telefonin e saj ku i qortonte bashkëmoshataret e saj për mosrespektim dhe zbatim të urdhrave fetare, derisa nuk hezitonte që t’i këshillonte dhe t’i bindte.

Tafallari në qindra biseda e kishte përdorur pseudonimin “nusja pelegrine”, derisa këto diskutime janë bërë në “Telegram” për të ruajtur konfidencialitetin.

Gazeta italiane shkruan se ajo kishte refuzim total ndaj Perëndimit.

Tafallari ishte kthyer në Itali për të ripërtërirë dokumentacionin e saj, derisa kishte qëndruar e barrikaduar për gjithë këtë kohë, meqë thoshte se do ta zvogëlonte rrezikun për “kontaminim me pabesimtarët”.

Ajo kishte bërë vetëm ca shëtitje të vogla me familjar të saj, kur kishte shkuar për t’u vaksinuar, derisa një shoqeje të saj i tregonte se jetesa me familjarët e saj nuk po i pëlqente.

Siç zbulohet nga bisedat, Tafalllari i kishte thënë shoqes së saj se “Unë jam e detyruar që të jetoj në shtëpi me jobesimtaret”.

Tutje gazeta tregon se Bleona është rritur në Itali në një familje kosovare në Isernia, derisa shton se radikalizimi i saj kishte ndodhur qysh në moshën 16 vjeçare duke shfrytëzuar kompjuterin.

Në bisedat e saj ajo thotë se familjarët kanë tentuar t’ia heqin nikabin, por që thotë se s’kishin pasur sukses.

Këtë bisedë Tafallari e kishte bërë në një bisedë me një moshatare të saj me nofkën “Zana” (16 vjeçe).

Në këto biseda thuhet që këto të reja kanë treguar ëndrrat e tyre për t’u martuar me “mjekrosh”, e që sipas tyre ai duhet “të jetë i përgjakur me gjakun e pabesimtarëve”.

Bleona Tafallari kishte arritur në Kosovës në Janar të këtij viti dhe ishte martuar me Perparim Veliqin (21 vjeçar) nën drejtimin e hoxhës Nuhredin Skenderi.

Skenderi është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet se bashkë me disa të tjerë ishte duke përgatitur sulm terrorist në Kosovë.

Fotografitë e gjetura në telefonin e Bleona Tafallarit të publikuara nga Corriere Della Serra

Veliqi siç shkruan “italy24news” ishte shok me Kujtim Fejzullain, një nga sulmuesit e Vjenës.

Dyshohet se Tafallari kishte edhe kontakte me familjarët e disa prej personave që janë arrestuar së fundi në Kosovë nën dyshimet se po përgatitnin sulm terrorist në vend.

Prokuroria italiane e akuzon Tafallarin për terrorizëm ndërkombëtar, meqë sipas tyre ajo është pjesë e organizatë “Luanët e Ballkanit”, derisa ishte në kontakt me një prej kokave të ISIS-it në Kosovë.

Shpërndaje në: