Mediet e huaja raportojnë për sulmin në Gllogjan

Periskopi.com Lajme

Medie të njohura botërore kanë raportuar për sulmin e së premtes në Gllogjan, ku u vranë tre persona e një tjetër u plagos. Në mesin e medieve të huaja që raportuan për ngjarjen e rëndë janë edhe agjencia e njohur amerikane e lajmeve, “Associated Press”, dhe transmetuesi publik gjerman, “Deutsche Welle”.

“Një burrë i paidentifikuar hapi zjarr ndaj një autobusi që po bartte adoleshentë në perëndim të Kosovës të premten, duke vrarë tre persona e duke plagosur një tjetër, thonë policia e raportimet e medieve”, shkroi agjencia “Associated Press”, raporton Gazeta Express.

“Presidentja Vjosa Osmani e quajti tronditës sulmin dhe u bëri thirrje zyrtarëve për sundim të ligjit që t’i gjejnë autorët sa më shpejt që është e mundshme”, shkruan më tej agjencia e njohur amerikane.

Për sulmin raportoi edhe transmetuesi i njohur publik gjerman, “Deutsche Welle”. “Drejtuesi i autobusit u vra menjëherë, ndërsa tre adoleshentët u lënduan. Ata u dërguan në spital, ku dy nuk u mbijetuan plagëve. Raportohet se adoleshenti i tretë është në gjendje të qëndrueshme. Më vonë, disa medie cituan zyrtarë të kenë thënë se më shumë persona janë të plagosur”, raportoi “Deutsche Welle.

Rreth tragjedisë së rëndë shkroi edhe agjencia e njohur britanike, “Reuters”. “Një drejtues autobusi dhe dy adoleshentë u vranë në Kosovën perëndimore, kur një burrë i maskuar hapi zjarr ndaj një autobusi që po bartte pasagjerë, përfshirë nxënës që po ktheheshin në shtëpi, tha një komandant policie të premten”, raportoi agjencia “Reuters”.

Lajmin e raportuan edhe disa medie tjera të huaja, përfshirë rrjetin e njohur medial në Shtetet e Bashkuara, “ABC News”, Shërbimi në Gjuhën Angleze i Radios “Evropa e Lirë”, faqja izraelite e lajmeve në gjuhën angleze, “Jerusalem Post”  e medie të tjera.