Mediet franceze shkruajnë për prostitutat shqiptare në Paris

Mediet franceze shkruajnë për prostitutat shqiptare në Paris

Një rrjet i madh prostitucioni është ngritur në Paris të Francës, ku me dhjetëra vajza nga komuniteti rom në Shqipëri, kryesisht minorene nga familjet e varfra, blihen dhe dërgohen në kryeqytetin francez.

Ky është alarmi që ka ngritur gazeta “Le Parisien”, e cila shkruan se, të lodhur nga kjo situatë, banorët e disa lagjeve të Parisit kishin shkruar një peticion që kishte mbledhur 300 nënshkrime.

Sipas kësaj gazete, bashkë me vajzat, këta kriminelë organizojnë trafikimin e lëndëve narkotike dhe armëve.

Madje, ata organizojnë “martesa të bardha” midis prostitutave që sillen nga Shqipëria dhe klientëve francezë, në këmbim të shërbimeve falas seksuale.

Në reportazhin e gazetës dallohen furgonët që vijnë për të lëshuar çdo mbrëmje nga ora 22:30 një duzinë vajzash, të gjitha me fustan të shkurtër, shkruan a2.

Më 12 nëntor u zhvillua një aksion, ku u arrestuan disa tutorë dhe u ndaluan disa prej këtyre vajzave. Sipas kësaj gazete, prostitutat blihen në Shqipëri, në komunitetin rom tek familjet më të varfëra, ose në vendet kufitare.

Sapo grumbullohen në një pikë, viktimat mbyllen në një dhomë dhe dhunohen nga banda për disa ditë, derisa të përfundojë dorëzimi.

Duke cituar një dokument ministror, në gazetë shkruhet se një prostitutë fiton rreth 10 mijë euro në muaj.

Për të kufizuar lidhjen e tyre, tutorët i lëvizin rregullisht vajzat nga një vend në një tjetër, në Francë, Belgjikë, Gjermani, por edhe në Spanjë ose Itali.

“Le Parisien” shkruan se tutorët shqiptarë ishin dëbuar nga Franca një dekadë më parë, pas arrestimeve të shefave kryesorë të këtyre rrjeteve, siç ishin vëllezërit Peqini, të dënuar në qershor të vitit 2002 me 4, 5 dhe 7 vjet burg, pasi kishin shfrytëzuar midis 300 dhe 600 femra për prostitucion.

Shpërndaje në: