Mediet në Shqipëri zbulojnë planet e Rejas – formacioni anti-Poloni

Mediet në Shqipëri zbulojnë planet e Rejas – formacioni anti-Poloni

Shqipëri-Poloni është një sfidë shumë e rëndësishme për vendin e dytë të grupit I, pasi kuqezinjtë nëse marrin një fitore do të blindojnë pozitat, por çdo rezultat tjetër shkon në favor të polakëve.

Lajmi i keq para ndeshjes ështës se Sokol Cikalleshi ka dalë pozitiv me Covid dhe nuk do të jetë i disponueshëm, duke prishur planet e trajnerit Reja.

Sulmuesi ishte projektuar titullar për sfidën e sotme, por tani llogaritë do të bëhen pa të në fushë. Mungesë tjetër e rëndësishme është ajo e Berat Gjimshitit, i cili dje kreu operacionin në dorë dhe do të jetë një muaj jashtë fushave.

Në mesfushë, për shkak kartonësh nuk është i gatshëm edhe Endri Çekiçi, një nga titullarët e ndeshjes në Hungari. Gjithashtu, mungon edhe Bekim Balaj i dëmtuar para disa ditëve dhe Hoxhallari po ashtu i infektuar me Covid. Këta janë lojtarët që nuk do të jenë në dispozicion të Edi Rejës.

TITULLARËT

Duke parë stërvitjen e fundit të kuqezinjve para ndeshjes së sotme, mendohet se në fushë do të hidhet një formacion me disa ndryshime nga ai ndaj Hungarisë. Në portë do të jetë përsëri Berisha, gjithashtu, linja e mbrojtjes me pesë do të përbëhet nga tri qendrat Ismajli, Kumbulla dhe Veseli i cili do të zëvendësojë Gjimshitin dhe krahët do të plotësohen nga Hysaj dhe Trashi.

Pothuajse të gjithë mbrojtësit do të kenë një detyrë shumë të rëndësishme po aq të vështirë pasi nën zonën e tyre kanë një nga sulmuesit më të mirë në botë si Levandovski. Përgjegjësitë e mesfushës do të jenë mbi shpatullat e Keidi Bares dhe Klaus Gjasulës, të cilët do të rreshtohen para mbrojtjes për të formuar një mur që do të ndalë dhe thyejë aksionet e lojtarëve polakë.

Ndërsa Bajrami pritet të plotësojë treshen e mesfushorëve dhe të bëjë lidhjen e mbrojtjes me sulmin duke krijuar aksionet sulmuese të skuadrës. Reparti i sulmit mendohet se është zgjidhur, performanca e Brojës në ndeshjen e fundit i jep atij një avantazh për ta nisur titullar dhe me shumë mundësi kështu do të jetë.

20-vjeçari pritet të hidhet nga minuta e parë në fushë, ndërsa mungesën e Cikalleshit në sulm pritet që ta zëvendësojë Rei Manaj, i cili luajti titullar edhe në sfidën e parë ndaj polakëve.

Shpërndaje në: