Mëdyshje rreth funksionalizimit të Kuvendit, pa Qeveri të re

Mëdyshje rreth funksionalizimit të Kuvendit, pa Qeveri të re

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor po konsiderohet si arsye e mjaftueshme për t’u funksionalizuar me komisione parlamentare dhe seanca plenare, përkundër ngecjeve në formimin e qeverisë. Udhëkryqi në të cilin gjendet Kosova me mungesë të buxhetit për vitit 2020, ka sjell kundërthënie mes atyre se a mundet, apo jo legjislatura e re të nis me punën duke mos pasur ekzekutivin e ri pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Se mund të ketë seanca të jashtëzakonshme, pa pasur Qeveri të re, nuk e mohon as nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Nagavci në një prononcim për KosovaPress, shpreson që seanca e radhës që mbahet të jetë për formimin e qeverisë, por thotë se si kryesia e re do të veprojnë sipas rregullores së Kuvendit.

“Besoj që seanca e radhës, presim dhe do të angazhohemi si Lëvizje, por edhe si nënkryetare që seanca e radhës të jetë për zgjedhjen e Qeverisë. Besojmë që duhet të jetë e qartë se jetësimi i vullnetit të shprehur më 6 tetor të bëhet duke miratuar buxhetin, por edhe agjendën legjislative të një qeverie e cila ka marrë besimin nga qytetari…ne do të veprojmë tërësisht sipas rregullores së Kuvendit, do të udhëheqim kuvendin si kryesi bashkë me kryetarin dhe nënkryetarët tjerë duke respektuar”, thotë ajo.

Por kategorik kundër kësaj mundësie është ish shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili thotë ndër të tjera për KosovaPress, se projektbuxheti i vitit 2020 nuk mund të votohet pa u themeluar Qeveria e re.

“Buxheti nuk mund të votohet për 2020 pa u themeluar Qeveria. Është Qeveria, ajo që sjell buxhetin e vitit 2020 në Kuvend. Ligji i buxhetit është sikur çdo ligj tjetër, por edhe në Kushtetutë thotë se është kompetencë e qeverisë që të sjell buxhetin në Kuvend. Kjo Qeveri që është në detyrë nuk mund t’i raportoj këtij kuvendit. Pra është jetike themelimi i Qeverisë së re, të funksionalizohet komisionet parlamentare të funksionalizohet Kuvendi”, thotë Hoti.

Se me konstituimin e kuvendit janë hapur mundësitë që të ketë një seancë plenare, edhe pa u formuar Qeveria e re, e thotë Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Ajo u shpreh për KosovaPress, se për ndonjë seancë të jashtëzakonshme plenare, barra i bie deputetëve të rinj, të cilët pasi të formohen komisionet parlamentare mund të draftojnë dhe procedojnë në kuvend për të miratuar.

“Kuvendi për shkak që është i konstituar dhe funksional rrjedhimisht i bije barra që të draftoj dhe të procedojë për miratim në Kuvend buxhetin e Republikës së Kosovës, marrë parasysh që deri më tani kur po flasim nuk kemi një qeveri të re dhe nuk kemi marrëveshje për koalicion. Ndërsa qeveria e kaluar, ajo në dorëheqje nuk ka kompetencë të bëj një gjë të tillë….përgjegjësia i bije komisionin për buxhet dhe financa, pra bëhet një buxhet për shkak të rëndësisë që vendi mos të shkojë në një kolaps, pastaj në momentin që krijohet qeveria e re, ajo mund të propozoj amendamentimin dhe ndryshimin e ligjit për buxhetin në mënyrë që reflektoj planin e tij qeverisës”, thotë ajo.

Ndërsa, njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu i tha KosovaPress-it se legjislatura e shtatë nuk mund të funksionalizohet plotësisht, pa formimin e qeverisë së re.

“Qeveria në detyrë nuk mundet të procedoj asgjë drejt Kuvendit sepse është jashtë mandatit. Pra Kuvendi është i konstituar, është legjitim, mund të funksionoj, por nuk mund të funksionoj në kuptimin e plotë të fjalës, sepse duhet psh për Ligjin për Buxhetit që është më i rëndësishmi, ajo duhet të ketë propozimin e qeverisë së re dhe jo të qeverisë në detyrë”, thotë ai.

Edhe pse kanë kaluar mbi 100 ditë prej zgjedhjeve të 6 tetorit, partia fituese Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të formojë qeverinë e re, bashkë me partinë e dytë, Lidhjen Demokratike. Kjo pasi në negociatat mes tyre janë shfaqur dallimet rreth ndarjes së pushtetit./E.Zeqiri/

Shpërndaje në: