Memli Krasniqi takon misionin vëzhgues të BE-së, u kërkon të ngritet çështja e fshirjes së adresave të shqiptarëve të Luginës

Periskopi.com Lajme

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi bashkë me Nënkryetaren Vlora Çitaku, Sekretarin për Çështje të Integrimeve Euro-Atlantike, Bekim Çollaku dhe me Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, Bernard Nikaj, ka pritur sot patëm përfaqësuesit e misionit vëzhgues të Parlamentit Evropian për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Në një postim në Facebook, Krasniqi thotë se gjatë takimit, diskutuan për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe rolin e rëndësishëm të eurodeputetëve në vëzhgimin e zgjedhjeve.

“Në këtë takim, përcolla mesazhin se Partia Demokratike e Kosovës, si lidere e opozitës, e vlerëson misionin vëzhgues të BE-së si vlerë të shtuar të këtij procesi zgjedhor, i cili me gjetjet dhe rekomandimet e nxjerra nga vëzhgimi në zgjedhjet e kaluara, e ka ndihmuar Kosovën që sot të jetë shembulli më i mirë për organizimin e zgjedhjeve në rajon.”, shkruan Krasniqi.

Lideri i PDK-së thotë se nga deputetët e Parlamentit Evropian, kërkoi që në Bruksel të ngrisin çështjen e diskriminimit të shqiptarëve të Luginës Preshevës, veçanërisht për largimin e tyre nga regjistrat civil dhe fshirjen e adresave të vendbanimeve të tyre nga shteti serb.