Memli Krasniqi viziton familjet Gucati e Haradinaj: Me mendje dhe me zemër jemi me ju

Memli Krasniqi viziton familjet Gucati e Haradinaj: Me mendje dhe me zemër jemi me ju

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, së bashku me disa anëtarë të partisë së tij kanë vizituar familjarët e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, për t’u solidarizuar në këtë ditë aspak të lehtë për ta.

Krasniqi përmes një shkrimi në Facebook tha se me mendje dhe me zemër janë me familjet Gucati e Haradinaj.

Sipas tij, qëndrueshmërinë dhe krenarinë kombëtare e kanë gjetur të palëkundur edhe sot tek këto familje.

“E mundimshme dhe me plot pengesa ka qenë rruga jonë për liri, por populli ynë nuk i është shmangur kurrë asaj rruge, deri në çlirimin e plotë. Këtë traditë e kanë kultivuar ndër breza edhe familjet Gucati e Haradinaj, me të cilët, sot jemi të gjithë me mendje e zemër. Qëndrueshmërinë dhe krenarinë kombëtare tek këto familje e gjetëm të palëkundur edhe sot”, shkroi Krasniqi.

Ndryshe, sot dy ish-drejtuesit e veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burg nga trupi gjykues i Dhomave të Specializuara. Ata ndodhen në Hagë nga shtatori 2020. Kjo kohë do të llogaritet si pjesë e Aktgjykimit dënues prej katër vjet e gjysmë burg.

Shpërndaje në: