Mendim të ndryshme se a duhet të shkarkohet Martin Berishaj

Mendim të ndryshme se a duhet të shkarkohet Martin Berishaj

Diplomacia e Kosovës në fundin e prillit të këtij viti ishte nën llupën e medieve të huaja.

Mediumi slloven, Planet TV, asokohe raportoi se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj ishte përfshirë në pastrim parash.

Sipas raportimeve, një kompanie të tij në Mal të Zi i janë bartur afro 600 mijë euro nga dega e kompanisë GEN në Beograd, e më pas ato u janë dhënë kesh politikanit slloven Robert Golob.

Krahas këtyre dyshimeve që nuk janë konfirmuar nga organet e rendit, të mërkurën u bë e ditur se ndaj Berishajt është ngritur edhe një kallëzim penal nga Agjencia AntiKorrupsion.

Ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati, thotë se pa u konfirmuar akuzat që rëndojnë ndaj Berishajt, nuk duhet të ndërmerren masa.

“Mendoj se obligim e ka gjyqësori për me u marrë me atë çështje. Pasi të analizohet çështja atëherë kështu mundemi ma detalisht me bisedu, sepse tash për tash po thuhet, po bisedohet por gjyqësori nuk e ka dhanë fjalën e vet përfundimtare”, tha Kastrati

Ndërsa për politologun Albinot Maloku, ambasadori Berishaj  tashmë e ka prishur imazhin e diplomacisë së Kosovës dhe do të duhej të shkarkohej, raporton Tëvë1.

“Ka të bëjë këtu me një person i cili përfaqëson Republikën, përfaqëson shtetin e Kosovës dhe për atë çështjen e imazhit që është folur shumë nga krerët aktualë shtetërorë, ai sikur e ka dëmtu, pra, në këtë rrafsh Qeveria e Kosovës, faktikisht Presidenca paraprakisht do të duhej që ambasadori Berisha të shkarkohej nga pozita e tij”, tha Maloku.

Televizioni ka pyetur gjatë ditës avokatin e Berishajt dhe Ambasadën e Kosovës në Zagreb lidhur me arsyet e ngritjes së kallëzimit penal ndaj ambasadorit, por nuk ka marrë përgjigje.

E lidhur me transaksionet që i janë kryer kompanisë së Berishajt në Mal të Zi, Prokuroria e këtij shteti ka thënë se nuk ka bazë për ndjekje penale.

Shpërndaje në: