Mendoni kur votoni

Mendoni kur votoni

Që nga shpallja e Pavarësisë e këndej Kosova ka qenë shtet vetëm me letra. Pse them kështu? Sepse një territor që bartë epitetin e shtetësisë duhet t’i përmbushë disa kritere minimale dhe t’i garantojë disa të drejta fundamentale për qytetarët e vet:

1.Sistemi i drejtësisë: Insitucionet e drejtësisë duhet të funksionojnë në mënyrë korrekte dhe çdo rast i korrupsionit dhe nepotizimit duhet të gjykohet. Në Kosovë, institucionet e drejtësisë kanë qenë nën ndikimin e politikës. Edhe pse ka pasur shumë afera të korrupsionit dhe nepotizimit, gjykatat dhe prokuroria nuk ka marrur ndonjë veprim dhe i ka legjitimuar në heshtje këto afera. Prandaj, qeveria e re së pari duhet ta rifreskojë sistemin e drejtësisë në tërësi, duke krijuar një drejtësi të paanshme, që është në shërbim të qytetarëve dhe jo të klaneve partiake.

2.Politika e Jashtme: Politika e Jashtme është shumë e rëndësishme për shtetin tonë sepse Kosovën si nje shtet i ri e promovon në arenën ndërkombëtare.Të gjithë jemi dëshimtarë për dështimin e shtetit tonë në politikën e jashtme. Duke filluar nga lobimi, diplomacia me shtetet mike, dështimi për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare e deri te dialogu me Serbinë. Për këtë dështim kryekëput janë fajtore partitë politike të cilat i kanë vendosur në funksione të larta të gjithë militantët e tyre, të cilët nuk ia kanë as haberin se çka është politika e jashtme e lëre më shumë. Për këto arsye nuk është aspak befasi kur dështojmë të anëtarësohemi në ndonjë organizatë, ose kur në dialogun me Serbinë tregohemi të papërgatitur. Arsyeja është se njerëzit që na përfaqësojnë kanë qenë të papërgatitur, duke përfshirë edhe kryeministrat që e kanë udhëhequr dialogun me Serbinë. Qeveria e re duhet medoemos ta depolitizojë trupën diplomatike; duke i tërhequr të gjithë diplomatët të cilët na sjellin vetëm skandale dhe në vend të tyre të dërgojë në misione diplomatike njerëz të shkolluar të cilët me të vërtetë dinë të na përfaqësojnë. Vetëm në këtë mënyrë shteti ynë do të prezantohej në formë të duhur dhe çdo qytetar do të ndihej krenarë për vendin e vet.

Krijimi i vendeve të reja të punës: Gjatë zgjedhjeve dëgjojmë premtime që do të krijohen deri në 200 mijë vende pune. Por pas përfundimit të zgjedhjeve, njerëzit e shkolluar dhe të ngritur akademikisht mbesin vetëm punëtorë të thjeshtë të sektorit privat, ndërsa militantët partiakë që nuk janë aspak të përgatitur i zënë vendet më të mira të punës duke e dërguar shtetin drejt një kolapsi. Sepse në pozita të rëndësishme të vijnë njerëzit e pakualifikuar është dëm i madh për shtetin. Departamentet e tilla gjithmonë do të çalojnë nga puna joprofesionale që bëhet nga këta militantë. Qeveria e re duhet që të shpallë konkurse dhe në bazë të atyre konkurseve të zgjedhen njerëzit meritorë të kualifikuar, të cilët e bëjnë punën me profesionalizëm dhe përgjegjësi të plotë morale. Vetëm në këtë formë shteti i Kosovës ecë përpara duke funksionuar të gjitha departamentet qeveritare dhe ndërrmarjet shtetërore me plane konkrete dhe të sakta duke e larguar shtetin tonë nga humnera në të cilën gjendet.

Varfëria dhe skemat sociale: Në Kosovë mjaftë shqetësuese është edhe përqindja e varfërisë ku një pjesë e qytetatërve jetojnë vetëm me 1.5 euro në ditë, shumë e cila nuk është e mjaftueshme për t’u ushqyer në mëngjes e mos të flasim për pjesën tjetër të ditës. Një përqindje e madhe e qytetarëve varen nga skemat sociale të cilat janë mjaftë të vogla per vetëm një javë,për t’a ushqyer familjen e mos të flasim per t’a kaluar komplet muajin. Këta qytetarë vizitohen nga politikanët vetëm në kohë fushate, dhe marrin premtime të cilat asnjëherë nuk realizohen pas fushatave.Qeveria e ardhshme duhet t’a ketë prioritet shtresën e varfër të shtetit tonë, duke krijuar vende pune dhe duke i rritur skemat sociale që qytetarët të kenë mundësi t’i mbulojnë të gjitha shpenzimet që nevojitën që t’a kenë një jetë normale.

5.Arsimi: Të gjithë jemi në dijeni që arsimi në Kosovë ka degraduar aq shumë sa që është shumë e vështirë të reformohet në një periudhë afatshkurte kohore. Ky degradim vërehet që nga kushtet elementare për shkollim e deri tek mënyra e notimit të nxënësve.Puna në arsim nga partitë që do i krijojnë institucionet e ardhshme duhet të jetë e sinqertë dhe e vazhdueshme, deri sa të bie në binaret e vet ky dikaster aq i rëndësishëm dhe jetik për çdo shtet që funksionon në mënyrën normale.

6.Shëndetësia: Shumë shpesh po ndëgjojmë raste të sëmundjeve vdekjeprurëse të cilat po të diagnostifikohen në kohë janë plotësisht të shërueshme. Mirëpo spitalet tona janë në gjendje të mjerueshme e sidomos spitali qendror QKUK,i cili vizitohet nga politikanët vetëm në kohë fushate për të bërë ca fotografi dhe për t’i postuar në rrjete sociale sa për like. Ndërsa shumë trajtime të cilat në vendet e tjera kryhen edhe në spitale lokale, në shtetin tonë nuk mund të kryhen as në spitalin qendror QKUK. Ata pacientë që janë të sëmurë duhet të nisen për shërim jashtë vendit, shumëherë dhe me shpenzime të veta. Kush nuk ka të ardhura duhet të kërkojë ndihmë në vend që shteti të kujdeset për ata pacientë. Shqetësuese është edhe mungesa e mjeteve higjenike në këto spitale,por ende edhe më shqetësuese është mungesa e barnave kundër kancerit të cilat duhet t’i siguroj shteti mirëpo ne përballemi me mungesë e këtyre barnave. Kurse të gjithë e dijmë që kjo sëmundje nuk pret andaj qytetarët duhet t’i blejnë vet këto medikamente,të cilat shumica e tyre janë të papërballueshme për xhepin e qytetarit dhe pacientët nuk kanë zgjidhje tjetër vetem t’a thërrasin vetë vdekjen që të mos t’i durojnë këto tortura më shumë. Pra, kur të votoni; duhet të kërkoni që qeveria e re të investojë në spitale që trajtimet të kryhen në QKUK,dhe të siguroj medikamente të cilat janë të nevojshme për këta pacientë.

Këto arsye dhe shumë arsye të tjera kanë bërë që shumë qytetarë të mos i bëjnë ballë varfërisë, dhe të ndjejnë mungesën e shumë shërbimeve elementare të jetesës. Nga pamundësia për të pasur një jetë më të mirë, ata kanë vendosur që të largohen nga Kosova qoftë në mënyrë legale, qoftë në mënyrë ilegale që vetëm mos të qëndrojnë në këtë vend, i cili nuk garanton të ardhme dhe nuk ka perspektivë për ta dhe fëmijët e tyre. Shumë qytetarë thonë që nuk kam pse dalë në zgjedhje dhe të votoj sepse vota ime vidhet; keqpërdoret ose dhe një votë nuk ka asnjë vlerë. Disa nga varfëria detyrohen edhe t’a shesin votën e tyre, disa të tjerë i dëgjojnë familjarët të cilët kanë ndonjë interes personal për ndonjë kandidat për deputet ose edhe ndonjë parti dhe janë të obliguar të shesin votën e tyre. Disa të tjerë votojnë në baza lokale nëse një kandidat është i asaj partie apo edhe nëse një parti ka bastion, një vend ata e votojnë edhe pse në zgjedhjet e kaluara ai person ose parti nuk ka bërë asgjë për ata qytetarë. Andaj mos i besoni shumë premtimeve; mos votoni në baza partiake vetëm pse njëherë keni votuar atë parti t’a votoni përsëri dhe jeta juaj të mos përmirësohet. Shikojeni programin e çdo partie, zgjidheni programin qeverisës i cili i përmirëson sferat e lartëpërmendura të cilat i’u garantojnë një jetë më të mirë. Mos i votoni ata që i’u premtuan dhe i’u gënjyen. Mos i’u besoni përsëri në këtë fushatë sepse ata nuk do të ndryshojnë,nuk mund t’a luftojnë korrupsionin të cilin e krijuan vet dhe përmes tij u pasuruan. Të thonë këta njerëz do t’a luftojmë korrusionin dhe nepotizimin është e njëjtë sikur ISISI të thotë do t’a luftojmë terrorizmin. Andaj dilni masivisht në zgjedhje! Kjo është mundësia juaj! Çdo votë numërohet! Mos gjeni arsye në ditën e votimit dhe mos u ankoni pastaj 4 vitet e ardhëshme! Mendoni kur votoni! Bëhuni pjesë e ndryshimit që të keni një jetë më të mirë dhe të keni kushtet elementare për të pasur një jetë të dinjitetshme!

Shpërndaje në: