Merdare: Arrestohen dy persona, dyshohet se vodhën cigare në vlerë prej 50.000 euro

Periskopi.com Lajme

Njësitet policore të rajonit të Prishtinës që nga fillimi i këtij muaji, i kanë dhënë përparësi luftës kundër disa shqetësimeve që kohët e fundit ka pasur komuniteti në lidhje me rastet e vjedhjeve ndodhura në zona të ndryshme.

Kështu tha për Klankosova.tv Agron Borovci, zëdhënës i policisë për rajonin e Prishtinës.

Borovci tha se janë arrestuar dy persona të cilët dyshohen se janë përfshirë në vjedhjen e cigareve në vlerë prej 50 mijë eurosh.

Ngjarja ka ndodhur në terminalin doganor në Merdare.

“Puna policore e organizuar me veprime specifike operative me qëllim kapjen e personave, për të cilët dyshohej të jenë të përfshirë në raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda, sot ka rezultuar me arrestimin e dy prej të dyshuarve të implikuar në rastet e tilla. B. S. 41 vjeç, mashkull, shtetas i republikës së Kosovës, si dhe, M. SH. 39 vjeç, mashkull, shtetas i republikës së Kosovës, janë arrestuar nga ana e policisë nën dyshimin e arsyeshëm për përfshirje në rastin e vjedhjes së rëndë dhe keqpërdorim të besimit, të ndodhur më 25.10.2021 në Terminalin Doganor në Merdare, me ç’rast dyshohet të jenë vjedhur cigare në vlerë rreth pesëdhjetëmijë euro. Të dyshuarit pas arrestimit me rekomandimin e prokurorit të shtetit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh”.