Merkel: Evropa nuk mund të mbështetet në SHBA-të

Merkel: Evropa nuk mund të mbështetet në SHBA-të

Kancelarja gjermane Angela Merkel mbetet e bindur se Evropa nuk mund të mbështetet tërësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Merkel këtë deklaratë për herë të parë e ka thënë në maj, pas samitit të G7 në Itali dhe e ka përsëritur tash në prag të samitit të G20 në Hamburg.

Në një intervistë për javoren gjermane “Die Ziet”, e pyetur nëse mbetet pranë qëndrimit të saj, Merkel ka thënë: “Po, plotësisht në të njëjtën mënyrë”.

“Është hapur çështja, për shembull, nëse duhet edhe në të ardhmen të bazohemi që SHBA të investojë si deri më tash në punën e Kombeve të Bashkuara, politikën në Lindjen e Afërt, politikën e sigurisë evropiane ose misionet paqësore në Afrikë”, ka thënë Merkel. Ajo shtoi se Evropa “nuk pretendon pronësinë e detyrimeve të amerikanëve në pjesë të tjera të botës.”

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka të ngjarë që të mos angazhohen më në Afrikë në masën e nevojshme, veçanërisht pasi që kanë interesa të naftës në Afrikë dhe botën arabe”, ka thënë kancelarja gjermane.

Merkel theksoi se vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për tërheqje nga marrëveshja e Parisit “është për keqardhje” dhe shtoi se shumë shtete federale amerikane dhe qytete dëshirojnë edhe më tej të jenë pjesë e marrëveshjes për ndryshimet klimatike.

Ajo po ashtu ka përmendur dallimet ndërmjet Gjermanisë dhe administratës amerikane sa i përket globalizimit.

“Ndërsa ne jemi duke kërkuar mundësi për bashkëpunim për të mirën e të gjithëve, administrata amerikane e sheh globalizimin si një proces që nuk ka të bëjë me një situatë në të cilën fitojnë të gjithë, por se ka fitues dhe humbës,” tha Merkel.

Në samitin që do të mbahet të premten dhe të shtunën në Hamburg, Trump nuk do të jetë mysafiri i vetëm, pasi që aty do të marrin pjesë edhe presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin. Merkel tha se detyrë e saj është si kryesuese e samitit që të punojë në arritjen e marrëveshjeve dhe të mos i kontribuojë “pamundësisë së bisedimeve”.

“Njëkohësisht, dallimet nuk duhet shtyrë nën tepih”, tha Merkel.

 

Shpërndaje në: