Merkel thotë se nuk i bie pishman për politikën e saj me Putinin

Ish-kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka thënë se nuk ndjen keqardhje për politikën e saj me presidentin rus, Vladimir Putini, gjatë kohës së saj në pushtet, duke argumentuar se presidenti i Rusisë do ta kishte filluar pushtimin e Ukrainës edhe në vitin 2008, kur planifikohej anëtarësimi i Ukrainës në NATO, por që u bllokua nga Gjermania.

Merkel tha se një Ukrainë e atëhershme, e udhëhequr nga oligarkët dhe e papjekur demokratikisht, do të kishte qenë më pak e përgatitur për një pushtim atëherë, sesa që është tani.

“Do të ndihesha shumë keq nëse do të kisha thënë: Nuk ka kuptim të flas me atë njeri (Putinin). Është një tragjedi e madhe që nuk funksionoi, por nuk e fajësoj veten për përpjekjen”, tha Merkel në një përgjigje jashtëzakonisht të sinqertë nga një politikane që rrallë fliste lirshëm gjatë kohës sa ishte në detyrë.

E pyetur nëse i vinte keq që kundërshtoi planin e veprimit të anëtarësimit të udhëhequr nga ShBA për Ukrainën dhe Gjeorgjinë në vitin 2008, Merkel tha: “Ukraina nuk ishte vendi që ne njohim tani. Ishte një Ukrainë që ishte shumë e ndarë… edhe forcat reformiste ishin shumë në mosmarrëveshje. Kjo do të thotë se nuk ishte një vend, demokracia e të cilit ishte forcuar nga brenda. Ukraina në atë kohë ishte e qeverisur nga oligarkët”.

‘Gruaja e hekurt e Gjermanisë’ tha se e dinte se si mendonte Putini, dhe se nuk donte ta provokonte më tej.

67 vjeçarja pretendoi se kishte bllokuar rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në aleancën ushtarake me interesat më të mira të vendit.

“Nuk mund të bëhesh anëtare e NATO-s për një ditë. Është një proces dhe gjatë këtij procesi e dija se Putini do t’i kishte bërë diçka Ukrainës që nuk do të ishte mirë për të”.

Merkel vlerësoi presidentin Volodymyr Zelensky për udhëheqjen e tij gjatë luftës, duke thënë se ai përfaqëson një Ukrainë të re.

Teksa Merkel dënoi agresionin e Rusisë në terma të qartë, ajo gjithashtu tha se Perëndimi dështoi në parandalimin e kësaj lufte, raporton Guardian, transmeton Klankosova.tv.

“Ajo që ndodhi është një gabim i madh në emër të Rusisë … një thyerje objektive me të gjitha rregullat e së drejtës ndërkombëtare që na lejojnë të bashkëjetojmë në Evropë në paqe. Nëse do të fillonim të kalonim një shekull pas tjetrit duke argumentuar se cili territor i përket kujt, atëherë do të ishim në luftë pa pushim. Ne nuk arritëm të krijonim një arkitekturë sigurie që mund ta kishte parandaluar këtë luftë. Dhe ne duhet të mendojmë edhe për këtë.

Ajo hodhi poshtë kritikat se Gjermania nën udhëheqjen e saj kishte rënë në një iluzion se një Rusi ushtarakisht agresive mund të demokratizohej duke zgjeruar lidhjet tregtare me Perëndimin.

-->

MË SHUMË PËR

TE FUNDIT