Merruni vesh: “Kush e keqpërdori Fondin e Trepërqindëshit?”

Merruni vesh: “Kush e keqpërdori Fondin e Trepërqindëshit?”

Lladrovci akuzon Xhemajlajn për një mbindërtim, ndërsa Xhemajlaj akuzon atë se ka ndërtuar pallate e ka blerë banesa me paratë e fondit “Vendlindja thërret”

E Jakup Krasniqi nuk u ka mbetur borxh Thaçit, Veselit e Lladrovcit, shkruan “Zeri”.

“Këtyre njerëzve të pafytyrë duhet t’u them se: dy të parët dhe i treti të merren vesh mes vete se kush nga këta e mban përgjegjësinë për ndarjen e fondit “Vendlindja thërret”?. Kush nga ata rrinin në Tiranë dhe me paratë e kujt jetonin atje? Ku i merrte paratë Ramiz Lladrovci? Ku i merrnin Hashimi e Kadriu? Kush nga ju i merrte paratë nga fondi i Zvicrës e kush nga ai i Gjermanisë? Madje në mes këtyre treve kishte dallime aq të mëdha sa edhe UÇK-në e kishin bërë copa-copa. Këto copa kam arritur t’i bashkoj unë si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri (pas kthimit nga Parisi)”, thotë ai për “Zerin”.

Krasniqi shpreson se Ramiz Lladrovci nuk e ka harruar se çfarë raportesh kishte me Xhavit Halitin dhe Azem Sylën në Tiranë.

“Raporte hiç më të mira nuk kishte as me Hashimin dhe Kadriun edhe shumë vite pas luftës. Pse ky anëtar i devotshëm i partisë i bëri lëvizjet nga PDK-ja në AAK dhe përsëri në PDK? Çka u bë sot Ramiz që u bëre bashkë me ata që i shantazhove gjatë? Dhe si duket nuk të shkoi bash huq!”, është përgjigjur Krasniqi. Ai i ka lutur bashkëfshatarët që të votojnë sipas vullnetit të tyre dhe pa imponime.

Edhe Lladrovci më shumë merret me Limajn e Krasniqin sesa me kundërkandidatin e tij për kryetar të Drenasit. Kur i kishin thënë Lladrovcit se Isa Xhemajlaj e ka akuzuar për keqpërdorimin e parave të fondit “Vendlindja thërret”, ai e kishte drejtuar gishtin nga Limaj dhe Krasniqi. “Këtë pyetje le t’ia drejtojë Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit. Unë kam qenë administrator i Fondit dhe i kam të gjitha dokumentet në fletë ‘A4’ dhe jo në paqetë të cigareve. Këtë pyetje le t’ua drejtojë shefave të vet, ata që e kanë mësuar të thonë kështu”, ishte përgjigjur Lladrovci.

“Unë nuk e kam pasur fatin që të jem në fondin ‘Vendlindja thërret’ dhe të ndërtoj shtëpi e basene. E vetmja që kam pasur mundësi ta siguroj ka qenë një banesë, e cila është nën lastra dhe kam kontratë me atë që e ka ndërtuar dhe lidhje nuk kam me Komunë. Edhe fëmijët e mi kanë dëshirë të kenë basen e të lahen”, është përgjigjur ndërkaq kandidati i “Nismës për Kosovën”, Isa Xhemajlaj kur Lladrovci kishte akuzuar atë se ka blerë banesë në mbindërtim të një ndërtese publike në Drenas./Zeri/.

Shpërndaje në: