Mësimdhënësit bojkotojnë edhe sot zëvendësimin e orëve, Këshilli i Prindërve: Mos boni hajgare me fëmijë

Mësimdhënësit bojkotojnë edhe sot zëvendësimin e orëve, Këshilli i Prindërve: Mos boni hajgare me fëmijë

Sot ishte paraparë që të fillonte zëvendësimi i tri javëve të humbura mësim pas grevës së mësimdhënësve, të prirë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit. Prindërit i çuan nxënësit nëpër shkolla, pas vendimit që lëshoi Ministria e Arsimit, por mësimdhënësit nuk shkuan fare nëpër shkolla. Të zhgënjyer me këtë veprim të mësimdhënësve kanë mbetur prindërit e nxënësve. Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti në një deklaratë dhënë Periskopit ka kërkuar nga shteti që të mos bëjë hajgare me fëmijët.

Mësimdhënësit as sot nuk kanë shkuar në shkolla, pavarësisht thirrjes së Ministrisë së Arsimit që nga sot të fillojë zëvendësimi i orëve të humbura gjatë grevës.

Thirrjes së drejtorëve të shkollave për mbajtjen e mësimit pozitivisht iu kanë përgjigjur vetëm nxënësit.

Ata kanë shkuar në shkollë, dhe kanë pritur mësimdhënësit e tyre, të cilët nuk u shfaqen fare.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, i ka thënë Periskopit se prindërit janë zhgënjyer nga veprimi i sotëm i mësimdhënësve.

“Ne kemi kërkuar që sot të bëhet zëvendësimi i orëve të humbura, pasi kjo është e drejtë e ligjshme dhe kushtetuese e nxënësve të Kosovës. Kjo është një zhgënjim që si veprim nuk e kemi pritur nga mësimdhënësit. Nuk kemi besuar se ndodh një gjë e tillë pasi edhe SBASHK’u vazhdimisht deklaron se punon për të mirën e nxënësve, mirëpo vepra e tyre sot na ka zhgënjyer si prindër. Nuk e kemi prit sepse ata në vend që të jenë në krye të detyrës për të cilën paguhen, i kanë lënë nxënësit pa mësim, pavarësisht mundimit të tyre për me shku nëpër shkolla”, ka thënë Reshiti për Periskopin.

Për gjithë këtë situatë, Reshiti përveç shtetit, fajin ia hedh edhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit.

“Ka dështu shteti në zbatimin e vendimeve të veta, në zbatimin e ligjit, ka dështu në ofrimin e të drejtës kushtetuese për shkollim të nxënësve. Prej qeverisë, ministrisë e komunave, ka dështu shteti, sepse një sindikatë, një organizim shoqëror të dal mbi ligjin, është një rast i dështimit të shtetit dhe elitës së shoqërisë që e quajnë vetën mësimdhënës”, ka thënë tutje Reshiti.

Ai ka përsëritur qëndrimin e tij se SBASHK’u është Sindikatë e lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës, andaj shtiret si e fortë.

“Problemi numër 1 është krijuar prej Sindikatës. Ajo është e lidhur me PDK’në, partinë në pushtet që po i ofron mbrojtje. Ajo paraqitet e fortë sepse e ka përkrahjen e pushtetit. Dhe ne jemi duke zhgënjyer. Prindërit u bëjnë thirrje qeverisë e kryeministrit që të mos bëjnë hajgare e të merren me këtë prioritet”, ka shtuar Reshiti në deklaratën dhënë Periskopit.

Tutje, ai ka pëmendur dy mbledhjet e kaluara të Këshillit të Prindërve, në të cilat është bërë thirrje për zëvendësim të orëve të humbura.

“Në mbledhjen e rregullt të shkurtit ne i kemi çuar rekomandim ministrit që të zëvendësohen orët e humbura. I kemi paraprirë situatës, sepse shumica e prindërve janë të interesuar për zëvendësim të këtyre orëve. Mbledhjen e dytë e kemi mbajtur më 7 mars, që kemi kërkuar nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit që me i ndërmarr mekanizmat dhe me realizua kërkesën tonë që të bëhet zëvendësimi, për shkak të problemeve që i kemi pasur gjatë muajit mars pasi në shumicën e shkollave është bojkotuar zëvendësimi. Dy mbledhje, dy qëndrime”, deklaroi Reshiti.

Kujtojmë se ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, javën e kaluar u ka bërë thirrje edhe njëherë të gjithë mësimdhënësve që t’i zëvendësojnë orët e humbura gjatë grevës, por këta të fundit, po u binden Sindikatës së Bashkuar së Arsimit.

Këshillit Drejtues i SBASHK-ut, javë më parë, në mënyrë unanime ka marrë vendim që të mos kompensohet asnjë orë e humbur derisa gjykata nuk nxjerrë një vendim. Kjo pasi SBASHK-u e ka paditur MASHT-in për vendimin e saj duke e konsideruar të jashtëligjshëm./PERISKOPI

Shpërndaje në: