Metro: Kryeministri Kurti ka refuzuar përfundimisht gaz-përçuesin amerikan duke shpërfill interesat e Kosovës

Metro: Kryeministri Kurti ka refuzuar përfundimisht gaz-përçuesin amerikan duke shpërfill interesat e Kosovës

Metro ka mësuar se Qeveria e Kosovës tashmë e ka njoftuar administratën e ShBA-ve se po e refuzon përfundimisht projektin e investimeve që do ta lidhte Kosovën me gaz-përçues.

Administrata Biden kishte ndarë edhe zyrtarisht 200 milionë dollarë grant pa kthim për këtë investim.

Administrata e Presidentit Biden më 2021 kishte futur edhe Kosovën në buxhetin e agjensionit federal MCC, ku ishte paraparë që Kosova të përfitonte 200 milionë dollarë të pakthyeshme për të ndërtuar gaz-përçuesin në drejtim të Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, ku pastaj do të lidhej më rrjetin TAP (Trans-Adriatic Pipeline) apo me burime tjera.

Ekspertët e kishin parë projektin si përpjekje të diversifikimit të infrastrukturës së gazit nga monopoli rus në Ballkan.

Sipas një njoftimi dërguar Kongresit më 2019, MCC ka kërkuar 6.9 milionë dollarë për shpenzimet e studimeve dhe përpilimit të projekteve në Kosovë ku dy projektet kryesore ishin ndërtimi i infrastrukruës së gazit për Republikën e Kosovës. Ky njoftim gjendet në faqen e Final Kosovo Compact të MCC.

Në një letër të datuar me 26 gusht 2020 drejtuar ish Kryeministrit Hoti, Nënkryetari i MCC Jonathan Bruks ka kërkuar që Kosova të përzgjedh projektet e dëshiruara për kompakt, duke u bazuar në studimet amerikane. Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se gaz-përçuesi është projekt interesit strategjik dhe tash e një vit pala amerikane, përfshi njësiti ushtarak i Army Corps of Engineers, ka qenë i përfshirë në planifikimet për gaz-përques.

E tërë kjo punë tash bjen në ujë për shkak të refuzimit të qeverisë Kurti. Ministrja Rizvanolli në një konferencë për shtyp ka deklaruar se vendimi final nuk është marrë, por sipas burimeve të Gazetës Metro, kjo duket se nuk është e vërtetë.

Sipas agjencionit te lajmeve DTT, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është takuar me 13 korrik me ministrin e Greqisë Nikos Dendias për të shpejtësuar bisedat rreth gazit që do vinte potencialisht nga porti i Aleksandropulos në Greqi për në Prishtinë, në këmbim të njohjes së Greqisë.

Edhe presidenti serb Vuçiq kishte shprehur mundësinë që një gjë e tillë të ndodhte.

“Njohja e Kosovës nga Greqia do të ishte lajm shumë i keq për Serbinë,” – ishte shprehur ai.

Një zyrtar i Qeverisë së Kosovës i përfshire në negociatat me MCC tashmë ka konfirmuar Gazetës Metro se “Kryeministri Kurti ka bërë me dije se ka frike nga gaz-përçuesi amerikan dhe se nuk ka asnjë element ekonomik apo politik që nuk është i favorshëm për Kosovën. Frika e vetme e Kryeministrit është se me këtë investim do të fuqizohej mundësia e kushtëzimit për marrëveshje finale në dialog. Kështu ky projekt tashmë është pranë dështimit për arsye që nuk kanë të bëjë fare me interest gjeostrategjike dhe ekonomike të Kosovës”.

Mbetet të shihet reaksioni i palës amerikane si dhe BE-se ndaj planeve të Vetevendosjes qe e kthejne në pikën zero ndihmen edhe gjatë administratës Biden por edhe asaj Trump, që kishte futur “diversifikimin energjetik” në Marrëveshjen e Uashingtonit.

Shpërndaje në: